Kryediplomati rus: Takimi Putin-Trump-Xi do të jetë “i dobishëm në çdo rrethanë”
Takimi i ardhshëm trepalësh mes presidentit rus Vladimir Putin, presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping do të jetë “i dobishëm në çdo rrethanë”, tha sot ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, transmeton Anadolu.
“Besoj se një takim i tillë është i dobishëm në çdo rrethanë, pasi përfshin tri fuqi bërthamore, dy prej të cilave janë gjithashtu ndër ekonomitë më të mëdha në botë si dhe vende me interesa të gjera në rajone të ndryshme të globit”, tha Lavrov për gazetarët gjatë një konference për media, pas pjesëmarrjes në Samitin e 21-të të Azisë Lindore, në kryeqytetin e Filipineve, Manila.
Lavrov bëri të ditur se agjenda e takimit trepalësh tashmë është përcaktuar, duke shtuar se takimi i së enjtes do t’u japë udhëheqësve amerikanë, kinezë dhe rusë mundësinë për të shkëmbyer lirshëm pikëpamjet e tyre.
“Sa i përket mundësisë që ky format të bëhet i rregullt, nuk do të spekuloj për këtë. Nëse të tre udhëheqësve u pëlqen dhe e shohin të vlefshëm, nuk do të jetë edhe aq e vështirë që të takohen përsëri”, tha Lavrov.
Duke folur për situatën në Ukrainë, ai tha se Rusia është në dijeni të pranisë së personelit ushtarak të huaj në territorin ukrainas, duke përmendur në veçanti atë francez, dhe se Moska ua ka përcjellë shqetësimet e saj vendeve përkatëse.
“Përmes kanaleve në dispozicion, ua kemi përcjellë shqetësimet tona, duke paralajmëruar vendet e përfshira se kjo nuk përbën më thjesht mbështetje për Ukrainën, por pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në luftë, përfshirë ndihmën për përcaktimin e objektivave, sigurimin e të dhënave satelitore dhe shumë më tepër”, tha Lavrov.
Ai shprehu bindjen se negociatat trepalëshe për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës do të vazhdojnë ndërsa deklaratat evropiane për armëpushim në Ukrainë i cilësoi si “sfidë të hapur” ndaj presidentit amerikan Donald Trump.
Lavrov tha se Rusia e ka paralajmëruar Perëndimin “një mijë herë” se çdo vendosje e një kontingjenti ushtarak evropian në Ukrainë do të nënkuptonte përfshirjen e drejtpërdrejtë të kontinentit në luftën që po zhvillohet.
Trump mbërriti sot në Filipine për bisedime me Asociacionin e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) dhe Dialogun Katërpalësh të Sigurisë (Quad), një partneritet diplomatik që përfshin SHBA-në, Australinë, Indinë dhe Japoninë.
Më vonë, ai do të vizitojë Kinën për Samitin e APEC-ut, i cili do të mbahet në qytetin Shenzhen ndërsa Kremlini njoftoi se Putini do të qëndrojë në vendin e Azisë Lindore për një vizitë dyditore, duke filluar nga e mërkura, për të marrë pjesë në aktivitetet e APEC-ut.

