“Është urgjente”, djali i Kadri Veselit kërkon reagim institucional pas vendimit të Hagës
Djali i Kadri Veselit, Klestor Veseli ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Përmes një postimi në Instagram, Veseli ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me vendimin, duke e cilësuar atë si instrumentalizim të drejtësisë dhe përdorim të saj për diskreditimin e një figure historike dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Një pështyrje në fytyrë ndaj sundimit të ligjit. Një instrumentalizim dhe përdorim i drejtësisë si armë për diskreditimin e një figure historike dhe UÇK-së që ai përfaqëson”, ka shkruar Veseli.
Ai ka kërkuar gjithashtu reagim nga institucionet shtetërore, duke theksuar se ato duhet të ndërmarrin veprime lidhur me zhvillimet në Hagë.
“Është urgjente që shteti t’i inkurajojë institucionet ndërkombëtare të kthejnë sytë në atë që po ndodh në Hagë dhe kjo përdhosje që po i bëhet të vërtetës dhe të drejtës nga ajo gjykatë, të dënohet”, ka deklaruar Veseli.
Ndërkohë, sot, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 17 muaj burgim në rastin për pengim të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, më 17 nëntor. Ai u shpall fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Gjykata konstatoi se Thaçi kishte zbuluar informacione konfidenciale për dëshmitarë gjatë vizitave që kishte pranuar në paraburgim në vitin 2023. Sipas aktgjykimit, ai kishte përdorur vizitorët për t’u përcjellë disa dëshmitarëve udhëzime se si të dëshmonin në procesin e tij për krime lufte.
Fadil Fazliu dhe Bashkim Smakaj u dënuan me nga 12 muaj burgim. Gjykata konstatoi se Fazliu i kishte përcjellë dëshmitarit Rrustem Mustafa udhëzime të Thaçit, ndërsa Smakaj kishte marrë udhëzime me shkrim për dëshminë e Bislim Zyrapit dhe ishte takuar me të.
Të dy u shpallën fajtorë për tentativë për pengim të personave zyrtarë dhe ndihmë në mosbindje ndaj gjykatës. Dënimet e tyre u konsideruan të shlyera me kohën e kaluar në paraburgim.
Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat. Gjykata konstatoi se Thaçi i kishte dhënë udhëzime lidhur me dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur, por nuk u provua se Kilaj kishte ndërmarrë veprime për t’ia përcjellë ato. Edhe Thaçi u shpall i pafajshëm për tentativën për pengim të personave zyrtarë përmes veprimit të përbashkët me Kilajn.
Megjithatë, ai u shpall fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës, pasi i kishte zbuluar Kilajt informacione konfidenciale për dëshmitarë.
Hajredin Kuçi u dënua me një muaj burgim me kusht, me periudhë prove prej një viti, për mosbindje ndaj gjykatës. Gjykata konstatoi se ai i kishte dërguar një mesazh dëshmitarit Rrustem Mustafa, në kundërshtim me urdhrin që ndalonte kontakte të tilla. Kuçi dhe Thaçi u shpallën të pafajshëm lidhur me një marrëveshje të pretenduar për kontaktimin e tre dëshmitarëve, pasi nuk u gjetën prova të mjaftueshme.
Dënimi prej 17 muajsh i Thaçit do të kryhet veçmas nga dënimi në rastin për krime lufte. Në atë proces të ndarë, ai ishte dënuar me 25 vjet burgim më 16 shtator. Të dy aktgjykimet janë të shkallës së parë dhe mund të apelohen.
Gjykata theksoi se pengimi i detyrave zyrtare gjatë një procesi gjyqësor përbën sulm ndaj integritetit të sistemit të drejtësisë. Prokurorja e specializuar, Kimberly West, e mir

