Trump para Kongresit: Zelensky është gati për të nënshkruar marrëveshjen për mineralet “në çdo kohë”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka informuar se është gati për bisedime me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në vendin e tij dhe është ofruar për të nënshkruar marrëveshjen për mineralet e Ukrainës “në çdo kohë”.
Gjatë fjalimit para Kongresit amerikan, më 4 mars, Trump tha se ka marrë një letër nga Zelensky, në të cilën udhëheqësi ukrainas ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.
“Sot, më herët, kam marrë një letër të rëndësishme nga presidenti Zelensky i Ukrainës. Letra thotë: ‘Ukraina është e gatshme të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur, për ta sjellë paqen e qëndrueshme më afër. Askush nuk dëshiron paqe më shumë se ukrainasit’”, tha Trump duke cituar letrën.
Ai tha se 2.000 njerëz vriten çdo javë në luftë – të rinj rusë dhe të rinj ukrainas.
“Dua që kjo të ndalet”, tha Trump, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar “ndoshta 350 miliardë dollarë” në ndihma për Ukrainën, ndërsa Evropa ka shpenzuar vetëm 100 miliardë dollarë.