Takimi i anëtarëve të Komisionit të Kuvendit për Financim dhe Buxhet me përfaqësuesit e FMN-së

Takimi i anëtarëve të Komisionit të Kuvendit për Financim dhe Buxhet me përfaqësuesit e FMN-së

Kryetari dhe anëtarët e Komisionit për Financim dhe Buxhet në Kuvend realizuan takim pune me përfaqësuesit e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar: Zhak Minian, shef i Delegacionit; Tomas Gade, anëtar i Misionit dhe Faton Sulejmani nga zyra e FMN-së në Shkup.

Në takim, siç kumtuan nga pres shërbimi i Kuvendit, u diskutua për reformat tatimore, miratimin e Ligjit për tatimin e solidaritetit, inflacionin, situatën në sektorin energjetik dhe rrogat në sektorin publik.

Sipas shefit të Delegacionit të Misionit të FMN-së, Zhak Minian, procesi i reformave tatimore duhet të nisë sa më shpejt, të miratohen zgjidhjet ligjore për përmirësimin e sistemit tatimor në vend dhe të zbatohen reformat cilësore. FMN-ja i mbështet reformat tatimore dhe futjen e tatimit të solidaritetit, si detyrim të njëhershëm tatimor për kompanitë që kanë realizuar fitime shtesë. Gjithashtu, Minian vuri në dukje se është e nevojshme t’i qasemi me kujdes rritjes së rrogave në sektorin publik, duke i pasur parasysh mundësitë e buxhetit, si dhe faktin se rritja e tyre mund të ndikojë në rritjen e inflacionit. Reformat që duhet të zbatohen në sistemin tatimor dhe energjetik nuk janë të lehta dhe nëse është e nevojshme FMN-ja do të ndihmojë në zbatimin e tyre.

Kryetari i Komisionit për Financim dhe Buxhet, Bojan Stojanoski, theksoi se Fondi Monetar Ndërkombëtar është partner i rëndësishëm i vendit në përballjen me krizën ekonomike dhe zbatimin e politikave dhe reformave cilësore ekonomike dhe fiskale, të cilat do të mundësojnë rritjen ekonomike, përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe kushtet për zhvillimin ekonomik.

“Shteti po përballet me sfida në sektorin energjetik, probleme me rritjen e inflacionit dhe rritjen e borxhit. Ligjet me të cilat duhet të nisin reformat në sistemin tatimor do të duhet të miratohen sa më shpejt, pas konsultimeve të bëra me Ministrinë e Financave dhe pranimit të vërejtjeve konstruktive për përmirësimin e tyre. Për të futur reformat cilësore tatimore, do të organizohet diskutimi publik në të cilin do të jenë të pranishëm përfaqësuesit e të gjitha palëve të interesuara, për të dëgjuar mendimet, qëndrimet dhe vërejtjet e tyre, me qëllim të miratimit të zgjidhjes ligjore të pranueshme reciprokisht”, qëndron në kumtesë.

Sa i përket rritjes së rrogave në sektorin publik, Stojanoski theksoi se vendi është anëtar aspirant i BE-së dhe duhet të ketë administratë e cila do të jetë e motivuar për t’i realizuar reformat e domosdoshme për anëtarësim në BE. Në mënyrë që rritja e rrogave në sektorin publik të mos ndikojë negativisht në buxhet, është e nevojshme të kontrollohet ana e shpenzimeve dhe të reduktohen shpenzimet joproduktive.

Në mbledhje, anëtarët e Komisionit i thanë mendimet e tyre për sektorin energjetik në vend, kapacitetet prodhuese, burimet alternative të energjisë, çmimin e energjisë elektrike, subvencionimin e energjisë elektrike me mjetet buxhetore dhe shkallën e tatimit mbi vlerën e shtuar.

Në fund të takimit, kryetari i Komisionit, Bojan Stojanoski, falënderoi për vizitën dhe theksoi se ajo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh gjendjen ekonomike në të cilën ndodhet vendi, rritjen e inflacionit dhe rritjen e borxhit.

MARKETING