Takimi Hoxha – Ortiz: Vazhdon bashkëpunimi i suksesshëm me Spanjën në fushën e mjedisit jetësor

Takimi Hoxha – Ortiz: Vazhdon bashkëpunimi i suksesshëm me Spanjën në fushën e mjedisit jetësor

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, ka zhvilluar një takim pune me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Rafaelo Soriano Ortiz, ku në fokus ishte bashkëpunimi bilateral dhe avancimi i projekteve për mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, gjatë takimit u diskutua për progresin dhe zbatimin e projekteve kyçe në këtë sektor, si dhe për mbështetjen që Spanja po i jep vendit në procesin e eurointegrimeve.

Në veçanti u theksua ndihma spanjolle në harmonizimin e legjislacionit vendor me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe forcimi i kapaciteteve institucionale në fushën e mjedisit jetësor.

Bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve po konkretizohet edhe përmes realizimit të disa projekteve të financuara nga programi IPA, ku janë të përfshira institucione dhe kompani nga Spanja.

Dy bashkëbiseduesit riafirmuan përkushtimin për thellimin e partneritetit dhe shkëmbimin e përvojave e praktikave më të mira, me qëllim përshpejtimin e reformave dhe përafrimin me standardet evropiane në sektorin e mjedisit jetësor.

MARKETING