Takim Destani-Kasami, gati edhe leja për ndërtimin e stadiumit në Tetovë
Në ambientet e kompanisë “Ecolog”, Lazim Destani prit kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasamin. Në këtë takim, krahas projektit të stadiumit të qytetit, u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit mes kompanisë “Ecolog” dhe Komunës së Tetovës.
Me këtë rast Lazim Destani ka shprehur kënaqësinë se kanë përfunduar të gjitha procedurat formale, përfshirë dhe lejen e ndërtimit të stadiumit të Tetovës, që është marrë këto ditë.
“Jam i lumtur që erdhi momenti i shumëpritur i nisjes së ndërtimit të këtij stadiumi. Uroj punët ndërtimore të këtij projekti të shkojnë mbarë e mirë. Stadiumi i ri i Tetovës, si një vlerë e shtuar për qytetin tonë, është kurorëzim i punës dhe sakrificës së brezit të vjetër tetovar në shërbim të sportit, sport-dashësve dhe në mënyrë të veçantë, në shërbim të brezave të ardhshëm,” ka thënë mes tjerash Lazim Destani në rrjetet sociale.