Stoltenberg emërohet ministër i Financave në Norvegji

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është emëruar ministër i Financave në Norvegji të martën, raportoi Reuters.
Stoltenberg, i cili ka një përvojë të gjatë diplomatike dhe politike, do të sjellë në kabinetin norvegjez ekspertizë në një kohë me tensione të mëdha tregtare globale.
“Ky ekip është gati të udhëheqë Norvegjinë në kohë të vështira. Do të ofrojmë politika që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të njerëzve dhe jemi të vetëdijshëm për paqëndrueshmërinë globale që ndikon edhe vendin tonë”, ka deklaruar kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Stoere.
Jens Stoltenberg ka qenë kryeministër i Norvegjisë në dy mandate (2000-2001 dhe 2005-2013) dhe ka udhëhequr NATO-n për një dekadë, duke përfshirë edhe periudhën gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan Donald Trump. Ai u largua nga ky post vitin e kaluar.
65-vjeçari është me profesion ekonomist dhe ka shërbyer më parë si ministër i Financave në Norvegji në vitet 1996-1997.
Në vitin 2022, Stoltenberg ishte parashikuar të bëhej guvernator i bankës qendrore të Norvegjisë, por hoqi dorë nga ky rol pas kërkesës së presidentit të atëhershëm amerikan, Joe Biden, për të vazhduar detyrën si shef i NATO-s.