Siljanovska-Davkova: Çështja me Bullgarinë nuk mund të cilësohet as si bilaterale, as vetëm si problem me BE-në

Siljanovska-Davkova: Çështja me Bullgarinë nuk mund të cilësohet as si bilaterale, as vetëm si problem me BE-në

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova vlerëson se çështja rreth integrimit evropian të Maqedonisë dhe kushtëzimet që lidhen me Bullgarinë nuk mund të kualifikohen as ekskluzivisht si çështje dypalëshe, as vetëm si problem midis vendit dhe Bashkimit Evropian.

MARKETING

Shik.mk

Në intervistë për televizionin Sitel, Siljanovska-Davkova u përqëndrua në takimin e fundit me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe mundësisë që BE-ja të ndërmjetësojë në bisedimet me Bullgarinë.

Lidhur me mesazhet nga Brukseli për vazhdimin e bisedimeve me Sofjen, ajo përkujtoi se paraprakisht është parashtruar pyetja nëse mosmarrëveshja ishte dypalëshe apo bëhet fjalë për çështje në kuadër të marrëdhënieve me BE-në.

“Kur thamë se çështja është e natyrës dypalëshe, pasi as në Planin e veprimit, e as më herët, nuk ka vërejtje nga vendet e tjera, askush nuk po kërcënon me veto, përkundrazi, theksohet nevoja për sistemin e meritës në evaluimin… Bullgaria thoshte se çështja nuk është dypalëshe, por se kemi të bëjmë me Bashkimin Evropian. E kam thënë shumë herë se nëse është kështu, atëherë le të negociojmë me Bashkimin Evropian”, tha Siljanovska-Davkova.

Sipas saj, në situata të tilla ekzistojnë mekanizma në të drejtën evropiane, përfshirë nenin 7 të Marrëveshjes për Bashkimin Evropian, e cila parashikon mundësinë e kufizimit të të drejtave të caktuara të një shteti anëtar nëse vërtetohet shkelje serioze të parimeve dhe vlerave të BE-së.

Megjithatë, presidentja theksoi se nevojitet dialog dhe shkëmbim i pikëpamjeve, por se problemi ose procesi nuk mund të cilësohet si ekskluzivisht dypalësh, ose si problem që kemi me Bashkimin Evropian.

Lidhur me qëndrimet e përfaqësuesve evropianë për detyrimet e ndërmarra, Siljanovska-Davkova u përqëndrua në të drejtën kushtetuese evropiane dhe dokumentet themelore të BE-së.

“Unë nuk jam vetëm presidente, por edhe profesoreshë. E njoh mirë të drejtën kushtetuese evropiane. Dhe atë që këto ditë i referohet znj. Jotova, presidentja e Bullgarisë, kur thotë se duhet të respektojmë parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian, janë pikërisht çështjet për të cilat po flas edhe unë. Është shkruar shumë qartë në Marrëvehsjen për BE-në, në Marrëveshjen e e Lisbonës, në Kartën për të drejtat fundamentale, se BE-ja do të respektojë identitetin kombëtar dhe kulturor, jo vetëm të anëtarëve të BE-së, por të të gjitha kombeve dhe shteteve”, tha Siljanovska-Davkova.

Ajo shtoi se dokumentet evropiane parashikojnë edhe respektimin e strukturave kushtetuese dhe politike të shteteve.

Siljanovska-Davkova vlerësoi se pikërisht këto parime duhet të merren parasysh në procesin e integrimit evropian të vendit, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që lidhen me identitetin kombëtar dhe kulturor.

Lidhur me kërkesën për ndryshime kushtetuese, presidentja tha se nuk mund të garantojë se ato do të miratohen.

“Çfarë them unë kur më pyesin nëse do ta ndryshojmë Kushtetutën? Nuk mund të jap një garanci të tillë. Deputetët nuk më përfaqësojnë mua, i përfaqësojnë qytetarët dhe, si në çdo parlament evropian, ata votojnë sipas bindjeve të tyre”, tha Siljanovska-Davkova.

Ajo pyeti se çfarë do të ndodh nëse sërish do të iniciohen ndryshimet kushtetuese, e deputetët nuk sigurojnë shumicën prej dy të tretave, si dhe shumicën e nevojshme të deputetëve nga komunitetet që nuk janë shumicë.

MARKETING