Foshnjat më të prekura nga rritja e vazhdueshme e rasteve të meningjitit në Gaza

Foshnjat më të prekura nga rritja e vazhdueshme e rasteve të meningjitit në Gaza

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se foshnjat janë grupmosha më e prekur nga rritja e vazhdueshme e rasteve të meningjitit në Rripin e Gazës, duke raportuar më shumë se 533 raste dhe katër viktima që nga mesi i tetorit, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, u tha gazetarëve në Gjenevë se organizata dhe Ministria e Shëndetësisë në Gaza po e monitorojnë nga afër situatën. Ai theksoi se rastet u rritën me shpejtësi nga mesi deri në fund të tetorit dhe se “vazhdojnë të shtohen që atëherë”.

Fëmijët nën moshën 1-vjeçare përbëjnë 71 për qind të rasteve të raportuara që nga tetori, ndërsa vetëm të porsalindurit përbëjnë 13 për qind të numrit të përgjithshëm të rasteve, tha ai.

Shumica e rasteve janë regjistruar në Qytetin Gaza dhe në Khan Yunis, ndërsa 73 për qind e pacientëve janë persona të zhvendosur.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, theksoi Lindmeier, rastet e dyshuara të meningjitit viral janë rritur 3,8 herë, ndërsa rastet e dyshuara të meningjitit bakterial janë shtuar më shumë se katër herë.

Ai paralajmëroi se kapacitetet e kufizuara laboratorike e vështirësojnë dallimin mes meningjitit viral dhe atij bakterial, duke penguar vlerësimin e përmasave të situatës dhe përshtatjen e masave për reagim.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza shpalli një “alarm epidemik” në të gjithë enklavën, duke paralajmëruar se përhapja e meningjitit kërcënon jetën e mijëra palestinezëve, veçanërisht të fëmijëve.

Zyrtari shëndetësor Nidal Ghoneim raportoi se vetëm gjatë muajit tetor janë regjistruar 272 raste të meningjitit, krahasuar me mesataren e zakonshme mujore prej 30 deri në 50 rastesh.

Ghoneim tha se që nga fillimi i vitit, 15 palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e meningjitit.

Kushtet e mbipopulluara në strehimoret për personat e zhvendosur, uji i pasigurt për konsum, sistemet e dëmtuara të kanalizimit dhe kolapsi i sistemit shëndetësor në Gaza kanë rritur rrezikun e përhapjes së sëmundjeve infektive.

MARKETING