SHBA-ja përgatitet të rrisë tarifat doganore ndaj Kinës dhe dhjetëra vendeve të tjera

SHBA-ja përgatitet të rrisë tarifat doganore ndaj Kinës dhe dhjetëra vendeve të tjera

SHBA-ja po përgatitet të rrisë tarifat doganore ndaj dhjetëra vendeve, përfshirë Kinën, për shkak të subvencioneve qeveritare dhe mbështetjes industriale, të cilat Washingtoni pretendon se dëmtojnë prodhuesit amerikanë, transmeton Anadolu.

Gazeta “The Wall Street Journal” raportoi se persona të njohur me planet thanë se përfaqësuesi amerikan për Tregtinë (USTR), Jamieson Greer, që në këtë javë pritet të publikojë rezultatet e një hetimi mbi subvencionet industriale në Kinë, Bashkimin Evropian (BE) dhe 14 vende të tjera.

Greer ka deklaruar vazhdimisht se subvencionet shtetërore nxisin kapacitetet e tepërta industriale, duke u mundësuar kompanive të huaja të vërshojnë tregjet globale me produkte më të lira. Sipas burimeve, njoftimi i ardhshëm pritet të sjellë rritjen e tarifave doganore ndaj dhjetëra ekonomive, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Vietnamin, Indinë dhe 27 shtetet anëtare të BE-së.

Megjithatë, nga këto masa pritet të përjashtohen produkte si çeliku, alumini dhe automjetet, të cilat tashmë përfshihen në tarifa të veçanta të vendosura për arsye të sigurisë kombëtare. Edhe pse normat përfundimtare ende nuk janë bërë të ditura, zyrtarët synojnë të ndjekin nivelet e tarifave të përcaktuara nga presidenti amerikan, Donald Trump, në vitin 2025.

Sipas marrëveshjeve të mëparshme tregtare, BE-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut ka të ngjarë të përballen me tarifa prej 15 për qind ose më të ulëta. Ndërkaq, Vietnami dhe India, theksuan burimet, mund të përballen me tarifa më të larta, në bazë të marrëveshjeve përkatëse.

Kina, të cilën Trumpi e vizitoi javën e kaluar, pritet të përballet me tarifa më të larta se shumë prej ekonomive të tjera të synuara, për shkak të subvencioneve të gjera shtetërore, të cilat zyrtarët amerikanë i cilësojnë si shtrembëruese të konkurrencës në treg.

Tarifat e reja do t’u shtohen gjithashtu tarifave të veçanta prej 10 për qind deri në 12,5 për qind për punën e detyruar, të shpallura në korrik për 60 ekonomi. Përfaqësuesi amerikan për tregtinë nuk pranoi të komentojë për gazetën ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Nën udhëheqjen e Trumpit, Washingtoni ka përdorur gjithnjë e më shumë tarifat doganore si një instrument kryesor ekonomik dhe diplomatik për të siguruar lëshime tregtare, për të kundërshtuar subvencionet shtetërore që i konsideron të padrejta dhe për të ushtruar presion ndaj qeverive të huaja lidhur me objektiva më të gjera politike.

MARKETING