Shkrimtari izraelit, Gideon Levy: Ky është çmimi i burgut për 2 milionë njerëz

Shkrimtari izraelit, Gideon Levy: Ky është çmimi i burgut për 2 milionë njerëz

Gideon Levy

Pas krejt kësaj qëndron arroganca izraelite. Ideja se neve na lejohet gjithçka, se kurrë nuk do të duhet të paguajmë çmim ose të ndëshkohemi. Do të vazhdojmë edhe tutje pa u ndalur. Do të arrestojmë, do të vrasim, do të torturojmë, do t’i cungojmë të drejtat, do t’i mbrojmë ardhacakët ndërsa kryejnë masakra, do të shkojmë në varrin e Jusufit, në varrin e Atnielit, në altarin e Jeshuas, e të gjithë janë të vendosur në territorin palestinez, dhe natyrisht në Har HaBajit në Jerusalemin Lindor – më shumë se 5 mijë hebrenj vetëm gjatë Sukotit – do të qëllojmë të pafajshëm, do të nxjerrim sy e do të çajmë koka, do të dëbojmë, do të rrëmbejmë, do të grabisim, do të tërheqim zvarrë nga shtrati, do të pastrojmë etnikisht, dhe natyrisht do të vazhdojmë me bllokadën e tmerrshme të Gazës – dhe gjithçka do të jetë në rregull.

Do ta rrethojmë qarkun përreth Bregut Perëndimor, muri nëntokësor i të cilit ka kushtuar tre miliardë shekelë, dhe do të jemi të sigurtë. Do të mbështetemi në gjenitë e njësisë së inteligjencës 8200 dhe agjentë të Shabakut të cilët dinë gjithçka, dhe ata do të na paralajmërojnë me kohë. Do ta transferojmë gjysmën e ushtrisë nga Bregu Perëndimor në Havarë, për t’i mbrojtur çirrjet e deputetit Zvi Sukot nga cionizmi fetar dhe kolonët, dhe gjithçka do të jetë në rregull, si në Havarë ashtu edhe në kibucin Erez. Por, është dëshmuar se edhe pengesa më e sofistikuar dhe më e shtrenjtë mund të çahet relativisht lehtë me një buldozer kur ka motiv të fortë. Ja pra, qenka e mundur të kalohet një pengesë e konceptuar në mënyrë arrogante me bicikleta e skuterë, përkundër miliardave që janë shpenzuar për të, përkundër krejt ekspertëve të mirënjohur dhe sipërmarrësve të ndërtimit që kanë bërë pasuri në ndërtimin e saj.

Menduam se do të vazhdonim ta keqtrajtonim Gazën, t’i hidhnim thërrima lehtësie tek-tuk në formë të disa mija lejeve pune në Izrael – si një pikë në det – të kushtëzuara nga sjellja e mirë, dhe se do të vazhdonim ta mbanim të mbyllur. Do të bëjmë paqe me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – dhe palestinezët do të harrohen derisa të zhduken, siç ia ka ënda një numri jo të vogël të izraelitëve. Do të burgosim mijëra palestinezë të tjerë, disa pa gjyq, shumica prej tyre të burgosur politikë; dhe nuk do të pranojmë të diskutojmë për lirimin e tyre edhe pas dekadash në burg. Do të themi se të burgosurit do ta shohin lirinë vetëm me forcë. Menduam se do të ishim ende në gjendje të refuzonim me arrogancë çdo përpjekje për një zgjidhje politike vetëm sepse nuk na shkonte për shtati të merreshim me të, dhe se kështu do të mund të ishte përgjithmonë.

Edhe një herë u dëshmua se nuk është ashtu. Disa qindra palestinezë të armatosur kaluan kufirin dhe hynë në Izrael ashtu siç asnjë izraelit nuk e mendonte se qe e mundur. Disa qindra palestinezë të armatosur dëshmuan se nuk është e mundur t’i mbash dy milionë njerëz të mbyllur përgjithmonë pa paguar çmim të tmerrshëm. Siç buldozeri i vjetër palestinez çau gardhin, më të zgjuarin e të gjitha gardheve, ashtu edhe e shqeu arrogancën dhe vetëkënaqësinë e Izraelit. E hodhi poshtë çdo nocion se mjaftonte të sulmohej dhe të shtypej Gaza me dronë vrasës, dhe ato t’i shiteshin gjysmës së botës në emër të sigurisë.

Të shtunën, Izraeli u përball me një pamje që nuk e kishte parë kurrë më parë: automjetet ushtarake palestineze patrullojnë nëpër qytetet e tij, e biciklistët nga Gaza hyjnë nëpër portat e tij. Këto pamje do të duhej ta thyenin arrogancën. Palestinezët në Gazë kanë vendosur se janë të gatshëm të flijohen për liri. A do të ketë dobi nga kjo? Jo. A do të nxjerrë Izraeli mësim? Jo.

Jo më larg se të shtunën ata folën për fshirjen e pjesëve të tëra të Gazës, pushtimin e Bregut Perëndimor dhe ndëshkimin e Gazës “si kurrë më parë”. Por që nga viti 1948, Izraeli në asnjë çast nuk ka pushuar së ndëshkuari Gazën; 75 vjet keqtrajtim, e megjithatë më e keqja tek po e pret. Kërcënimet se “Gaza do të rrafshohet përtokë” dëshmojnë vetëm një gjë: se ne nuk kemi mësuar asgjë. Arroganca do të mbetet përkundër kostos së lartë.

Benjamin Netanjahu mban përgjegjësi të madhe për atë që ndodhi dhe duhet të paguajë për të, por kjo nuk filloi me të dhe nuk do të mbarojë me të. Tash duhet të derdhen lot të hidhur për viktimat izraelite, por duhet qarë edhe për Gazën – banorët e së cilës janë kryesisht refugjatë që i ka krijuar Izraeli dhe që kurrë nuk kanë përjetuar një ditë të vetme lirie.

Haaretz, Tel Aviv, 08.10.2023

Përktheu: Qerim Hondozi

MARKETING