A duhet të gëzohemi për rënien e qytetërimit perëndimor apo të shqetësohemi për mbijetesën e saj?
Shkruan: Ali Maskan
Këtë e kam shprehur edhe në shkrime të tjera autoriale, por duket se duhet ta ritheksoj edhe një herë këtu, sepse po përballem me keqkuptime serioze. Edhe pse ironia brenda çdo shkrimi mundohet të përcillet përmes stilit të vet, duket se kjo, jo gjithmonë mjafton. Në shkrimet e mia i jap më shumë peshë këndvështrimit të botës perëndimore. Kjo nuk duhet të kuptohet sikur unë e admiroj apo e shenjtëroj Perëndimin. Përkundrazi, duke qenë se ne ende nuk po arrijmë të dalim nga gropa e retorikës emocionale dhe patetike ku kemi rënë, detyrohem t’i referohem këndvështrimit të “tjetrit”. Në fakt, kjo më krijon një hapësirë shumë më të gjerë për analizë dhe veprim.
Sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, kam ndërtuar një kornizë teorike sipas mënyrës sime të të menduarit. Siç dihet, në shkencat sociale, teoritë nuk mund të provohen në mënyrë absolute, por synohet ruajtja e koherencës së tyre. Për këtë arsye, çdo shkrim duhet të jetë në harmoni me tjetrin. Pra, kur dikush thotë se ekziston një kundërthënie midis një shkrimi dhe një tjetri, unë duhet të kem një përgjigje për këtë. Madje, miqtë e mi më ndihmojnë shumë në këtë drejtim, duke më sfiduar në mënyrë konstruktive.
Kohët e fundit, një prej këtyre miqve të çmuar, me qetësinë dhe pjekurinë e dikujt që kishte arritur t’i përmbledhë të gjitha ato që kam thënë në një tërësi kuptimore, më pyeti: “Po pastaj, çfarë do të ndodhë?”
Unë kisha krijuar një lloj “algoritmi” mendimi që më lejonte t’i përgjigjesha menjëherë kësaj pyetjeje, aq sa vetëbesimi im pothuajse e tejkalonte maturinë e tij.
Pas kësaj pyetjeje të shkurtër fshihej kjo ide: Perëndimi po zhvillon një luftë për ta bërë “tjetrin” të ngjashëm me vetveten. Për këtë arsye, perëndimi përjeton konflikte të mëdha edhe brenda vetes. Madje, përplasja që sot perceptohet si konflikt midis Lindjes dhe Perëndimit është në thelb rezultat i tensioneve të vetë Perëndimit brenda strukturës së saj. Dhe pyetja është kjo: kur të përfundojë i gjithë ky proces, kur Perëndimi të shndërrohet në një qytetërim unik dhe të arrijë atë që quhet “fundi i historisë”, çfarë do të ndodhë më pas?
Më parë e kemi përkufizuar kulmin e mendjes perëndimore si një “mentalitet”. Ky mentalitet, përfaqëson një fuqi që qëndron përtej shtetit, kompanive, familjes, parasë apo politikës dhe vepron me një logjikë krejtësisht djallëzore. Bartësit e këtij mentaliteti nuk i përkasin asnjë feje hyjnore dhe as nuk ndjekin interesa materiale. Ata e shohin veten si pjesë të një lufte metafizike.
Në këtë kuptim, sot nuk ka shumë rëndësi nëse bota perëndimore përkufizohet si e krishterë, hebraike, kapitaliste, liberale apo komuniste. Sepse aktorët kryesorë me të cilët përballemi; edhe nëse dikur kanë qenë të lidhur me fe hyjnore – në thelb nuk përfaqësojnë më një besim të tillë. Në fund të historisë, të gjitha konceptet që ne apo ata, përdorim për të lavdëruar apo kritikuar Perëndimin humbasin kuptimin e tyre. Qytetërimi perëndimor, i formësuar nga Greqia e Lashtë, hebraizmi dhe krishterimi, në thelb nuk kishte si synim ruajtjen e këtyre vlerave, por përdorimin e tyre për të zhdukur dimensionin hyjnor. Ne, duke e parë nga jashtë, menduam se ata po luftonin kundër Islamit për të mbrojtur fetë e tyre, dhe kështu u kapëm pas nocioneve “ne” dhe “ata”. Ndërkohë, kur eleganca dhe estetika madhështore që dikur karakterizonin qytetërimin islam filluan të mbeten vetëm si një nostalgji në librat e historisë, ne kishim hyrë tashmë në fillimin e fundit.
Themelet e qytetërimit perëndimor u hodhën mbi një qasje djallëzore, duke shkatërruar fillimisht fetë e veta. Së pari u godit hebraizmi, e më pas krishterimi. Paradoksi është se e gjithë kjo u bë gjoja në emër të mbrojtjes së këtyre feve. Fetë hyjnore, të cilat u konsumuan në përpjekjen për t’u ruajtur dhe jetësuar, ia lanë vendin një filozofie me karakter djallëzor. Me kolonializmin dhe zbulimet gjeografike, ndryshimet që u reflektuan në politikë dhe ekonomi sollën sistemet demokratike, dhe kështu edhe pretendimet për pushtetin “hyjnor” të shtetit, u tërhoqën në sirtar.
Gjatë kësaj periudhe, edhe bota islame filloi t’i shohë fetë e tjera sikur të ishin “tjetri” apo armiku i saj. Natyrisht, në këtë kishte edhe një pjesë të së vërtetës, sepse Perëndimi kishte nisur një luftë kundër Islamit nën mburojën e fesë. Në këtë mënyrë, bartësit e atij “mentaliteti” filluan t’i ziejnë në të njëjtin kazan njerëzit që besonin në të njëjtin Zot. Edhe pse myslimanët e kuptonin absurditetin e një përplasjeje të tillë, konfliktet e tyre të brendshme i detyruan të bëheshin pjesë e këtij procesi.
Si myslimanë, besojmë në të gjithë pejgamberët dhe librat hyjnorë, për shkak të shqetësimit që ndjenim ndaj deformimit të feve, nuk e kishim të vështirë të merrnim pozicion kundër pasuesve të tyre. Por çfarë ishte në shënjestër? Një libër i deformuar apo njerëz të larguar nga feja? Kur lufta u drejtua kundër të dyjave njëkohësisht, atmosfera e krijuar filloi të përkufizohej si “luftë fetare”. Po, tashmë ekzistonte një luftë e feve. Edhe pse myslimanët i shihnin dy fetë e tjera si “tjetrin”, në të vërtetë të tri fetë hyjnore ishin në një gjendje përplasjeje të vazhdueshme. Megjithatë, lufta nuk zhvillohej mes vetë feve, por mes pasuesve të tyre. Mentaliteti djallëzor kishte arritur një sukses të jashtëzakonshëm.
Në aspektin teorik, fetë hyjnore, librat dhe pejgamberët nuk kanë ndonjë konflikt mes tyre. Allahu (xh.sh.) ka ndjekur një proces të vazhdueshëm të plotësimit të fesë së Tij. Mirëpo, ky proces i integruar, disi, u shndërrua në një element konflikti në rrugë të ndryshme. Ky proces, i cili filloi me pejgamberin e parë, vazhdon pa ndërprerje. Ndërsa bartësit e atij mentaliteti nuk e kanë të vështirë të gjejnë pasues të rinj për veten e tyre, Krijuesi, pasi ua mësoi njerëzve rrugën e përsosmërisë, nuk dërgoi më pejgamber tjetër.
Pas shpalljes së formës përfundimtare të fesë, mendja djallëzore, duke e ditur se nuk do të vinte më pejgamber tjetër, hyri në procesin e barazimit dhe njëtrajtësimit të këtyre tri feve. Në fakt, qëllimi nuk ishte t’i paraqiste ato si rivale dhe të siguronte epërsinë e njërës mbi tjetrën. Synimi ishte që të tri fetë së bashku të humbnin kuptimin e tyre brenda të njëjtës kornizë.
Në praktikë, për t’i futur në të njëjtin kornizë fetë që mbartnin sisteme të ndryshme mendimi dhe besimi, fillimisht duhej të krijohej një terren i përbashkët ku ato të lëviznin në të njëjtin drejtim. Ky proces, të cilin Olivier Roy e quan “rrafshim” (L’aplatissement), ndiqet në mënyrë sistematike prej shekujsh. Ky proces, ku synohet homogjenizimi i fesë, gjuhës dhe kulturës së të gjithë njerëzve, në të vërtetë kërkon zhdukjen e kulturave dhe reduktimin e njerëzimit në një formë të vetme jetese. “Rrafshimi” na hap derën e një bote të njëtrajtshme. Në një realitet të tillë, jo vetëm kulturat, por edhe vetë fetë, nuk do të mund t’i shpëtojnë njësojësimit.
Atëherë, miti i mijëravjeçarëve për “luftën e feve” nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje për t’i bërë ato të njëjta. Nën emrin e luftës së feve, në të vërtetë synohej rrafshimi dhe neutralizimi i të gjitha feve. Mund të themi qartë se mendja djallëzore që drejtonte këtë proces nuk kishte për qëllim epërsinë e një feje mbi tjetrën.
Prandaj, le ta pranojmë si pikë të përbashkët faktin se ky mentalitet ushqen të njëjtin qëndrim ndaj të gjitha feve. Procesi i “rrafshimit”, i mbështetur tashmë edhe nga inteligjenca artificiale, ka krijuar një globalizim dhe uniformizim shumë të shpejtë. Luftërat dhe konfliktet që po përjetojmë sot nuk janë gjë tjetër veçse zhdukja graduale e dallimeve mes njerëzve. Ndërsa po bëhet më e qartë, një botë ku shtetet humbin kuptimin dhe individët reduktohen në modele të njëjta, pyetja “po pastaj, çfarë do të ndodhë?” bëhet edhe më domethënëse.
Në një realitet të tillë, kush me kë do të luftojë?. Në një botë të rrafshuar, kush do të jetë “tjetri”? Ky proces, që përkufizohet si fundi i qytetërimeve dhe “fundi i historisë”, është larg së qenit një triumf i qytetërimit perëndimor. Sepse pikërisht në këtë pikë hyn në fuqi, skenari i zhdukjes së të gjitha qytetërimeve. Kur myslimanët të shkrihen plotësisht me qytetërimin perëndimor, do të fillojë procesi i shuarjes së të gjitha qytetërimeve. Bota primitive dhe pagane e postmodernizmit tashmë është trajtuar mjaftueshëm edhe në filmat e Hollywood-it.
Nëse nesër mbreti i Mbretërisë së Bashkuar do të dilte e të thoshte: “Si mysliman, do të luftoj për vëllazërinë e feve dhe paqen në mbarë botën”, ndoshta do të më vinte të qaja nga gjendja e mjerë e myslimanëve. (Fakti që Islami gjykon sipas së asaj që shihet dhe nuk e pengon vetëdijen ndaj të fshehtës).
Myslimanët nuk do të mund të dalin nga ky qorrsokak përderisa nuk arrijnë t’i shkëpusin vlerat, parimet, bindjet dhe ritualet e botës së tyre nga kallëpi i qytetërimit perëndimor.
Pejganberi a.s. e hodhi mënjanë të gjithë rendin ekzistues të kohës së tij dhe ndërtoi një sistem krejtësisht të ri. Ky sistem u mbajt me sukses deri në shekullin XI, por më pas filloi të zbehej dalëngadalë. Dhe erdhi dita kur myslimanët filluan ta përkufizonin veten përmes “tjetrit”. Mirëpo, Islami nuk ishte tjetëri i një asgjëje.
Ideja e zhdukjes së Perëndimit mbështetet mbi parashikimin e perëndimizimit të myslimanëve. Ky “mentalitet” është i vetëdijshëm se, për ta dërguar Perëndimin drejt shkatërrimit, edhe Islami duhet të rrafshohet dhe të njësohet brenda të njëjtit sistem; ndërsa pikërisht këtë po përpiqet të bëjë.
Mos harroni se në momentin kur Perëndimi do të fillojë të shembet, edhe myslimanët do të gjenden në të njëjtën anije. Mendja djallëzore, nuk do ta fundosë këtë anije pa i marrë edhe myslimanët brenda saj. Myslimanët nuk do të mund të dalin nga ky qorrsokak pa zbritur nga anija e këtij mentaliteti dhe pa e përkufizuar veten në mënyrë të pavarur dhe autentike.
Atëherë, a duhet të gëzohemi për fundosjen e qytetërimit perëndimor apo të shqetësohemi për mbijetesën e saj?

