Shekerinska: Ballkani Perëndimor duhet të jetë i kujdesshëm me fjalët, ato mund të jenë më të rrezikshme se armët

Kur rrezikohet siguria, asgjë nuk është më e rëndësishme, deklaroi sot zëvendës sekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska në një takim me të rinjtë në Budvë, Mal të Zi.
“NATO mbetet aleancë mbrojtëse, por historia, që nga kohërat e lashta tregon se nëse duam të shmangim luftën, duhet të jemi të përgatitur për të”, tha Shekerinska. Ajo shtoi se duke treguar forcë, unitet dhe vendosmëri për të mbrojtur çdo aleat, Aleanca do të arrijë pikërisht këtë – të parandalojë konflikte.
Shekerinska paralajmëroi se samiti i ardhshëm i NATO-s në Hagë, në qershor, do të fokusohet në rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe kapaciteteve për prodhim mbrojtës. Disa vende, veçanërisht ato që janë në kufi me Rusinë, kanë arritur tashmë 4-5 përqind të BPV-së për mbrojtje.
“Në kohë sfidash, duhet të marrim vendime të vështira – kjo do të thotë më shumë investime në mbrojtje”, theksoi ajo.
Shekerinska nënvizoi se jetojmë në kohë të rrezikshme, lufta në Ukrainë vazhdon, ndërsa bashkëpunimi i Rusisë me Korenë e Veriut, Iranin dhe Kinën tregon nevojën për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të NATO-s.
Në pyetjen për mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, ajo na kujtoi Maqedoninë e Veriut, e cila priti 30 vjet për t’u pranuar.
“Pranimi i Ukrainës është i rëndësishëm, por edhe proces i vështirë. Në kohë të vështira nuk duhet të humbasim shpresat”, deklaroi Shekerinska.
Ajo theksoi se Ballkani Perëndimor mbetet i një rëndësie strategjike për Aleancën.
“Nuk është e mjaftueshme vetëm të mos kemi luftë. Fjalët kanë domethënie. Sot rajoni është paqësor dhe po përpiqet drejt BE-së, por ne ende dëgjojmë deklarata për ndarje, nacionalizëm dhe secesionizëm. Këto nuk janë vetëm fjalë – ndonjëherë fjalët janë më të rrezikshme se armët, sepse ato mund të shkaktojnë dhunë”, paralajmëroi Shekerinska.