Kryediplomatja e BE-së mbështet ndalimin “me parime” të tregtisë me vendbanimet e paligjshme izraelite

Kryediplomatja e BE-së mbështet ndalimin “me parime” të tregtisë me vendbanimet e paligjshme izraelite

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka mbështetur ndalimin në të gjithë bllokun të tregtisë me vendbanimet e paligjshme izraelite në territoret e pushtuara palestineze, duke e cilësuar atë një “qëndrim të justifikuar me parime”, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për The Irish Times të enjten, Kallas tha se kishte një pajtim të gjerë mes ministrave të jashtëm të BE-së se zgjerimi i vendbanimeve izraelite shkelte të drejtën ndërkombëtare.

“Kur Krimea u pushtua, atëherë ishte shumë e qartë – është e paligjshme, ne nuk e njohim këtë. Duhet të kemi të njëjtin qëndrim me parime – e dini se kjo është e paligjshme, të gjithë pajtohen, ndaj duhet të ndalojmë tregtinë me territoret e pushtuara (palestineze)”, tha ajo.

Kallas tha se një ndalim i BE-së për importet nga vendbanimet izraelite nuk do të kërkonte mbështetjen unanime të të gjitha 27 shteteve anëtare.

Meqë ndalimi i propozuar mund të vendoset si masë tregtare dhe jo si vendim i politikës së jashtme, për miratimin e tij do të kërkohej një shumicë e cilësuar prej të paktën 15 shteteve anëtare që përfaqësojnë rreth dy të tretat e popullsisë së bllokut.

BE-ja më parë ka hasur vështirësi në miratimin e sanksioneve ndaj Izraelit, pasi masat e politikës së jashtme kërkojnë unanimitet.

Kallas tha se Komisioni Evropian ishte nën “presion shumë të qartë” nga qeveritë kombëtare për të propozuar ndalimin e tregtisë me vendbanimet dhe se ministrat e jashtëm të BE-së po prisnin që organi ekzekutiv i bllokut të vepronte.

Edhe pse vëllimi i tregtisë me origjinë nga vendbanimet izraelite ishte i kufizuar, një ndalim do të dërgonte një mesazh të rëndësishëm simbolik, shtoi ajo.

Kallas pranoi se shtetet anëtare kishin qëndrime të ndryshme për marrëdhëniet me Izraelin dhe tha se kishte “pro dhe kundër” për veprimin para zgjedhjeve parlamentare të Izraelit në fund të tetorit.

Ajo shtoi se anëtarët e BE-së ishin dakord për mbështetjen e zgjidhjes me dy shtete dhe për të garantuar që ndihma humanitare të arrijë te palestinezët pa u politizuar.

MARKETING