SHBA sanksionon FSB e Rusisë dhe Gardën Revolucionare të Iranit

SHBA sanksionon FSB e Rusisë dhe Gardën Revolucionare të Iranit

Shtetet e Bashkuara njoftuan sot sanksione kundër Shërbimit Federal të Sigurisë të Federatës Ruse (FSB) dhe Gardës Revolucionare të Iranit, duke i akuzuar ata për arrestimin e paligjshëm të amerikanëve.

Lista e sanksioneve të reja përfshin katër komandantë të lartë të shërbimit të inteligjencës së Gardës Revolucionare, por të paktën njëri prej tyre tashmë ishte sanksionuar. FSB e Rusisë është gjithashtu subjekt i sanksioneve të mëparshme të SHBA.

Zyrtarët e lartë të administratës së Biden thanë në kushte anonimiteti se sanksionet e reja synojnë të nënvizojnë pasojat për ata që përpiqen të përfitojnë nga ndalimi i paligjshëm i qytetarëve amerikanë për të ushtruar presion politik ose për të kërkuar lëshime nga Uashingtoni. Nuk janë të paktë të burgosurit amerikanë në burgjet e Rusisë dhe Iranit, dy vende që kanë acaruar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Muajin e kaluar, FSB ruse arrestoi reporterin amerikan të Wall Street Journal Evan Gershkovich me dyshimin për spiunazh. Ish-marinsi amerikan Paul Whelan, i cili po vuan dënimin me 16 vjet burg në Rusi, është shpallur fajtor për spiunazh.

Marrëdhëniet Uashington-Moskë janë në nivelin e tyre më të keq në dekada pas pushtimit rus të Ukrainës, por vitin e kaluar Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini ranë dakord për dy shkëmbime të burgosurish. Më e fundit ishte shkëmbimi i basketbollistes amerikane Brittney Greiner me tregtarin rus të armëve Viktor Bout.

 

MARKETING