SHBA-ja do të lejojë kombëtaren e Iranit të udhëtojë më herët në Seattle për ndeshjen e Kupës së Botës
Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare po rishikon rregullimet e udhëtimit për kombëtaren e Iranit në futboll para ndeshjes së saj të tretë në Kupën e Botës të premten, raportoi të martën NBC News, transmeton Anadolu.
Sipas ndryshimeve, ekipi iranian do të lejohet të udhëtojë drejt Seattle, në shtetin e Washingtonit, dy ditë para ndeshjes, duke fituar një ditë shtesë krahasuar me afatin prej 24 orësh që iu dha për dy ndeshjet e para.
Megjithatë, ekipit do t’i kërkohet të largohet drejt bazës së tij në Tijuana të Meksikës sapo të përfundojë ndeshja.
“Para ndeshjes në Seattle më 26 qershor, ekipi iranian do të lejohet të vijë dy ditë para ndeshjes. Do t’i kërkohet të largohet në ditën kur përfundon ndeshja, pra në mbrëmjen e saj”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare.
“Presidenti dëshiron të sigurohet që fokusi të jetë te ajo që ndodh në fushë. Një pjesë e kësaj është garantimi i sigurisë jo vetëm rreth stadiumeve, por edhe në kampet bazë dhe vendet e stërvitjes”, thuhet më tej në deklaratë.
Ndryshimi vjen pasi Federata e Futbollit e Iranit njoftoi se synon të paraqesë një ankesë zyrtare në FIFA lidhur me mënyrën se si ekipi është trajtuar gjatë qëndrimit në SHBA.
Kombëtarja iraniane u detyrua ta zhvendosë bazën e saj të Kupës së Botës nga Arizona në Tijuana, pasi problemet me vizat prekën disa zyrtarë të federatës dhe anëtarë të stafit mbështetës.
Zyrtarët iranianë kanë shprehur gjithashtu ankesa për kufizimet që kanë prekur anëtarët e delegacionit, qasjen e mediave dhe tifozët që ndjekin ndeshjet në SHBA.

