Selektori i Egjiptit: Kush nuk ndien keqardhje për popullin palestinez nuk është njeri
Trajneri i Egjiptit, Hossam Hassan, ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes me Argjentinën për gjendjen e vështirë të popullit palestinez. Hassan valëviti një flamur të Palestinës pas fitores së Egjiptit ndaj Australisë. Dhe foli më shumë se katër minuta për Palestinën, ndërsa u duartrokit nga shumë gazetarë në konferencë për shtyp.
“Nëse ka dikush në botë që nuk ndien për popullin palestinez, atëherë ai nuk është njeri – qofshin arabë, evropianë apo amerikanë”, tha Hassan.
“Çdo kund në botë, përfshirë Evropën dhe Amerikën, nëse dikush lëndon një kafshë, ne shohim se të drejtat e kafshëve mbrohen dhe e gjithë bota reagon. Është bërë normale të dëgjosh se 2000 ose 3000 njerëz vdesin në një ditë, për shkak të një rakete”, ka shtuar selektori egjiptian.
Ai bëhet vetëm personaliteti i radhës nga bota e sportit që shpreh përkrahje publike për palestinezët.
“Pavarësisht fesë, unë jam njeri para se të jem arab apo diçka tjetër. Mesazhi im, përmes futbollit, është ky: Ju lutem, ashtu siç slogani i FIFA-s bën thirrje për respekt midis nesh, të ketë respekt për të drejtën e njerëzve për të jetuar”, ka theksuar Hassan.
Argjentina e Belgjika takohen sot nga ora 18:00.

