Rusia kundërpërgjigjet ndaj Gjermanisë me mbylljen e Konsullatës në Shën Petersburg dhe degëve të Institutit Goethe

Rusia kundërpërgjigjet ndaj Gjermanisë me mbylljen e Konsullatës në Shën Petersburg dhe degëve të Institutit Goethe

Në një masë reciproke, Rusia ka njoftuar masa kundërpërgjigjëse ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Gjermanisë në Shën Petersburg dhe qendrave të Institutit Goethe në Rusi, transmeton Anadolu.

Ministria e Punëve të Jashtme tha se pasi Rusia tërhoqi pëlqimin për funksionimin e konsullatës, ajo duhet t’i ndërpresë aktivitetet jo më vonë se më 18 shtator, ndërsa i gjithë personeli konsullor duhet të largohet nga Rusia deri në të njëjtën datë.

Ministria ruse tha se edhe qendrat kulturore të Institutit Goethe të Gjermanisë në Rusi duhet t’i ndërpresin aktivitetet, ndërsa personeli i dërguar atje është urdhëruar të largohet nga vendi jo më vonë se më 13 shtator.

Sipas ministrisë, masa pasoi mbylljen nga Berlini të Konsullatës së Përgjithshme Ruse në Bonn dhe të Shtëpisë Ruse të Shkencës dhe Kulturës në Berlin.

Ministria tha se masat iu komunikuan sot të ngarkuarit me punë të Gjermanisë në Rusi, të cilit iu dorëzuan edhe notat përkatëse diplomatike.

Moska tha se masat u morën në përgjigje të “veprimeve jomiqësore” të palës gjermane dhe akuzoi autoritetet gjermane se po provokojnë një përçarje të re në marrëdhëniet dypalëshe.

“E gjithë përgjegjësia për pasojat bie tërësisht mbi qeverinë gjermane”, tha ministria.

MARKETING