Rreth 550 vende të reja pune! Durmishi: Investimi i kompanisë Cavo Otomotiv në Zonën Zhvillimore Teknologjike-Industriale Tetovë kap vlerën prej 21 milionë euro

Rreth 550 vende të reja pune! Durmishi: Investimi i kompanisë Cavo Otomotiv në Zonën Zhvillimore Teknologjike-Industriale Tetovë kap vlerën prej 21 milionë euro

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka përshëndetur investimin e ri të kompanisë ndërkombëtare Cavo Otomotiv në Zonën Zhvillimore Teknologjike-Industriale Tetovë, duke e vlerësuar atë si një dëshmi të qartë të besimit të investitorëve të huaj në ekonominë e Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimeve zyrtare, investimi kap vlerën prej 21 milionë eurosh dhe pritet të krijojë rreth 550 vende të reja pune, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të rajonit të Pollogut dhe të gjithë vendit.

“Ky investim është rezultat i politikave që synojnë krijimin e një klime të qëndrueshme dhe konkurruese për biznes. Çdo investim i ri nënkupton më shumë vende pune, më shumë mundësi për qytetarët dhe zhvillim më të madh ekonomik”, deklaroi ministri Durmishi.

Ai theksoi se veçanërisht i rëndësishëm është fakti që investimi realizohet në ZZHTI Tetovë, zona e vetme zhvillimore teknologjike-industriale që funksionon sipas modelit të partneritetit publiko-privat dhe që është në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës.

Durmishi nënvizoi se Ministria mbetet e përkushtuar në tërheqjen e investimeve të reja, përmirësimin e klimës afariste dhe krijimin e kushteve për rritje të qëndrueshme ekonomike.

“Qëllimi ynë është i qartë – më shumë investime, më shumë vende pune dhe standard më i mirë jetese për qytetarët. Investime të tilla konfirmojnë se vendi ynë po pozicionohet si një destinacion serioz dhe i besueshëm për investitorët ndërkombëtarë”, tha ministri Durmishi.

Investimi i Cavo Otomotiv pritet të kontribuojë në rritjen e prodhimit industrial, eksporteve dhe transferimit të teknologjive moderne në industrinë automobilistike në vend.

MARKETING