Raportuesja e OKB-së i cilëson sulmet izraelite ndaj civilëve në Bregun Perëndimor të pushtuar si “pogrome”
Raportuesja e posaçme e OKB-së për territoret palestineze të pushtuara, Francesca Albanese, i ka përshkruar sulmet izraelite ndaj civilëve palestinezë në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar si “pogrome”, si dhe ka bërë thirrje për një embargo të menjëhershme të armëve dhe ndalimin e tregtisë me Izraelin, transmeton Anadolu.
“Pogrome kundër civilëve të pambrojtur në të gjithë Bregun Perëndimor, ndërsa Gaza është nën zjarr”, tha Albanese në rrjetin social amerikan X.
Ajo akuzoi civilët dhe ushtrinë izraelite se po “bashkojnë forcat” në këto sulme, duke argumentuar se përgjegjësia nuk kufizohet vetëm te kryeministri Benjamin Netanyahu apo te “disa individë të korruptuar”.
“Embargo armësh tani. Ndaloni tregtinë tani”, tha Albanese, duke shtuar se masa të tilla kërkohen sipas së drejtës ndërkombëtare.
Dje, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, urdhëruan një “operacion ushtarak në shkallë të gjerë” në fshatrat palestineze në të gjithë Bregun Perëndimor, pas një sulmi pranë vendbanimit të paligjshëm Havat Gilad, ku u vranë dy ushtarë izraelitë dhe u plagosën tre të tjerë.
Sipas burimeve dhe dëshmitarëve, pushtuesit izraelitë më vonë sulmuan disa komunitete palestineze në Nablus, duke u vënë zjarrin shtëpive palestineze dhe pronave të tjera.
Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, katër palestinezë u vranë dje në një sulm nga pushtuesit izraelitë dhe forcat izraelite ndaj qytetit Tell.

