Raporti i policisë spanjolle pretendon se Maroku orkestroi migrimin masiv drejt Ceutës

Raporti i policisë spanjolle pretendon se Maroku orkestroi migrimin masiv drejt Ceutës

Një raport i inteligjencës së policisë spanjolle ka pretenduar se forcat marokene të sigurisë ndihmuan në planifikimin dhe drejtimin e kalimit masiv të migrantëve drejt Ceutës në fund të korrikut, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

Raporti, që lidhet me mbërritjen e më shumë se 70.000 migrantëve, sfidon versionin publik të qeverisë spanjolle për krizën kufitare.

Në raportin e policisë, sipas transmetuesit publik spanjoll RTVE, thuhet se xhandarët marokenë, disa me uniformë dhe të tjerë me rroba civile, i drejtuan migrantët drejt enklavës spanjolle në valë të njëpasnjëshme, me synimin për të mbingarkuar kontrollet kufitare.

Dokumenti, i dorëzuar në Gjykatën Kombëtare të Spanjës, i përshkruan kalimet e 30-31 korrikut, kur rreth 72.000 persona hynë në enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut, si një operacion të planifikuar dhe jo si një lëvizje spontane të nxitur nga kontrabandistët apo thirrjet në rrjetet sociale.

Raporti gjithashtu thotë se policia lëshoi një alarm më 29 korrik, duke paralajmëruar për një “rrezik ekstrem” nga përpjekjet e koordinuara për të hyrë në Ceuta dhe Melilla të nesërmen, duke notuar ose duke kaluar gardhet kufitare.

Gjetjet e raportit kanë vënë qeverinë nën presion lidhur me versionin e saj të mëparshëm për krizën. Dje, ministrja e Migracionit, Elma Saiz, tha se nuk kishte indikacione për përfshirjen e Marokut në kalimet masive.

Ministri i Punëve të Brendshme, Fernando Grande-Marlaska, sot kërkoi shpjegime nga drejtori i Policisë Kombëtare, Francisco Pardo, përfshirë edhe se kur drejtuesit e policisë ishin vënë në dijeni të raportit.

Qeveria tha se nuk e kishte marrë dokumentin dhe bëri thirrje për “kujdes maksimal” derisa përmbajtja e tij të mund të shqyrtohej në detaje.

Të hënën, kryeministri Pedro Sanchez vlerësoi Marokun për bashkëpunimin e tij gjatë krizës, ndërsa për përhapjen e dezinformimit rreth ngjarjeve në Ceuta drejtoi gishtin nga rrjete të lidhura me Rusinë dhe Izraelin, si dhe nga grupe ndërkombëtare të ekstremit të djathtë. Rusia dhe Izraeli i kanë hedhur poshtë akuzat.

BE-ja ka mbajtur një qëndrim më të rezervuar lidhur me rolin e Rusisë, duke theksuar se nuk kishte prova përfundimtare se dezinformimi i huaj shkaktoi krizën e migracionit.

Raporti i policisë ka shkaktuar gjithashtu reagime të forta politike në Spanjë.

Lideri i opozitës, Alberto Nunez Feijoo, akuzoi qeverinë se po fsheh rolin e Marokut dhe kërkoi që ambasadori maroken të thirret për shpjegime dhe ambasadori i Spanjës në Rabat të thirret në vend për konsultime.

Presidenti i Ceutës, Juan Jesus Vivas, tha sot se enklava u përball me një “rrezik të madh”, duke i përshkruar kalimet si një sulm të qëllimshëm dhe të organizuar dhe duke akuzuar Marokun se po përpiqet të ushtrojë presion mbi Ceutën dhe Melillan.

Mosmarrëveshja vjen teksa Ceuta vazhdon të përballet me pasojat e kalimeve masive.

Të hënën, Sanchez tha se rreth 5.000 migrantë që hynë gjatë krizës vazhdojnë të qëndrojnë në Ceuta, ndërsa Vivas e ka vlerësuar këtë shifër në afro 10.000. Mijëra prej tyre kanë jetuar në strehimore të përkohshme dhe kampe të improvizuara, ndërsa protestat, përleshjet dhe sulmet që përfshijnë migrantë dhe banorë kanë shtuar tensionet.

Dje, qeveria njoftoi një paketë prej 309 milionë eurosh (357 milionë dollarë), që synon forcimin e sigurisë dhe shërbimeve publike, si dhe mbështetjen e bizneseve dhe operacioneve humanitare në enklavë.

MARKETING