Qytetarët e RMV-së mbajnë 7,4 miliardë euro kursime në banka, shuma tejkalon buxhetin vjetor të shtetit
Në Ditën Botërore të Kursimit, Shoqata Bankare e Maqedonisë dhe Banka Popullore kanë publikuar të dhëna interesante për kursimet e qytetarëve. Sipas tyre, qytetarët në Maqedoninë e Veriut mbajnë gjithsej 7,4 miliardë euro, përkatësisht 454 miliardë denarë në bankat e vendit, që i bie se kjo shumë është më e madhe se buxheti vjetor i shtetit. Ndërkaq, pavarësisht sfidave ekonomike dhe inflacionit, kursimet vazhdojnë të shënojnë rritje. Sipas të dhënave të Shoqatës Bankare të Maqedonisë dhe Bankës Popullore, depozitat e qytetarëve në baza vjetore janë rritur për 9,2 për qind, ndërsa depozitat me afat kanë shënuar rritje prej 5,7 për qind.
Paratë e qytetarëve përbëjnë shtyllën kryesore të bankave në vend, pasi përfaqësojnë pjesën më të madhe të depozitave të përgjithshme. Statistikat tregojnë se edhe në kushtet e inflacionit, një pjesë e qytetarëve arrijnë të ndajnë mjete financiare dhe t’i kursejnë ato për një periudhë më të gjatë.
Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e parave nuk janë të depozituara me afat, por gjenden në llogaritë e transaksioneve. Kjo tregon se ato përdoren për shpenzimet e përditshme, pagesën e faturave dhe nevojat elementare të jetesës, por njëkohësisht pasqyron edhe fuqinë reale blerëse të popullsisë.

