(VIDEO) Bërvenica të dielën zgjedh kryetarin e ri, sot votuan të sëmurët

(VIDEO) Bërvenica të dielën zgjedh kryetarin e ri, sot votuan të sëmurët

Gjithçka është gati që nesër në Komunën e Bërvenicës të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve të parakohshme për kryetar komune. Pas përfundimit të fushatës zgjedhore, nga mesnata ka hyrë në fuqi heshtja zgjedhore, ndërsa sot procesi i votimit po zhvillohet për personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, si dhe për të burgosurit që kanë të drejtë vote.

MARKETING

Shik.mk

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, gjithsej 116 persona kanë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës gjatë ditës së sotme. Prej tyre, 107 janë persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, ndërsa nëntë të tjerë janë duke vuajtur dënimin me burg. Votimi për të burgosurit po zhvillohet në tri institucione ndëshkuese-përmirësuese në Shkup, Shtip dhe Tetovë. Procesi ka filluar në orën 7 të mëngjesit.

Ndërkohë, nesër të drejtën e votës do të mund ta ushtrojnë qytetarët e tjerë të Komunës së Bërvenicës, të cilët do të vendosin se kush do ta drejtojë komunën në periudhën e ardhshme. Procesin zgjedhor do ta ndjekin gjithsej 61 vëzhgues të akredituar, prej të cilëve 56 vendorë dhe pesë ndërkombëtarë.

Përveç vëzhguesve, për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor do të kujdeset edhe Avokati i Popullit. Zyra e tij rajonale në Tetovë nesër do të jetë e hapur nga ora 7 deri në 19, në mënyrë që qytetarët të mund të paraqesin ankesa për çdo shkelje eventuale të së drejtës së votës.

Raundi i parë i zgjedhjeve u mbajt më 18 tetor, kur nga gjithsej 16.256 qytetarë me të drejtë vote, në votime dolën 7.565, apo 46,56 për qind. Meqenëse asnjëri nga kandidatët nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave, gara për kreun e komunës vazhdon në raundin e dytë.

Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme në Bërvenicë mbahen pasi kryetari i atëhershëm i komunls ndërroi jetë. Nesë, qytetarët do të kenë fjalën e fundit për zgjedhjen e drejtuesit të ri të komunës.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING