Shkon në mbi 5.000 numri i të vdekurve nga Ebola në RD të Kongos

Shkon në mbi 5.000 numri i të vdekurve nga Ebola në RD të Kongos

Më shumë se 5.000 persona kanë vdekur nga Ebola në Republikën Demokratike të Kongos që nga shpallja e shpërthimit të epidemisë në mesin e muajit maj, sipas përditësimit të fundit të situatës të publikuar të shtunën, ndërsa autoritetet po përballen me epideminë më të madhe të regjistruar ndonjëherë në vend, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Numri i përgjithshëm i rasteve ka arritur në 10.351, treguan të dhënat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Shpërthimi i fundit ka prekur tetë provinca: Haut-Uele, Ituri, Kivu Verior, Kivu Jugor, Bas-Uele, Tshopo, Ubangi Jugor dhe Ubangi Verior.

Ky është shpërthimi më i madh dhe më vdekjeprurës i Ebolës i regjistruar ndonjëherë në Kongo dhe i dyti më i madhi në nivel global, pas epidemisë së viteve 2014-2016 në Afrikën Perëndimore.

Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC) bënë thirrje të premten për masa më të forta për mbrojtjen e punonjësve në vijën e parë të përballjes me epideminë, pasi dy mjekë të rinj kongolezë vdiqën nga Ebola në fillim të kësaj jave në provincat Kivu Verior dhe Ituri.

Dobësitë e vazhdueshme në zbulimin e hershëm të rasteve dhe gjurmimin e kontakteve janë ndër pengesat kryesore për ndalimin e përhapjes aktuale të Ebolës në Kongo, sipas autoriteteve shëndetësore.

Autoritetet thanë se vetëm rreth 12 për qind e rasteve të konfirmuara në Kongo janë identifikuar te personat që njiheshin më parë si kontakte të të infektuarve, ndërsa shumë vdekje janë regjistruar në komunitete.

MARKETING