Qoku i përgjigjet Taravarit: Po të kemi lutur edhe atëherë edhe tani, kësaj radhe fatkeqësisht nuk ia dolëm të të shqepim nga magjepsja e Aliut

Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, i është përgjigjur Arben Taravarit i cili sot deklaroi se partitë e VLEN-it, e kanë lutur atë në Gostivar që të bëhet bashkë me ta dhe ta sjellin ndryshimin.
Qokur thotë se po është e vërtetë se ata e kanë lutur Taravarin atëherë por se e kanë lutur edhe tani, ndërsa kësaj radhe nuk kanë arritur që ta shqepin nga Aliu.
Ja dhe statusi i tij i plotë:
Arben Taravari: “Ata para një viti vinin në Gostivar, luteshin e përuleshin që ta sjellim ndryshimi.”
– Po, shumë e vërtetë. Bile jo vetëm në Gostivar, por edhe në Tetovë, Shkup e Prishtinë i jemi lutur. Disa herë. Shpesh. E kemi lutur shumë, e kanë lutur shumë. Tepër shumë. Aq shumë sa mezi e shqepëm nga BDI-ja e Aliut. Ai iku nga ai dhe ruajti nderin e dinjitetin, të vetin e të anëtarëve të partisë. Ndërsa ata që mbetën, u tretën.
Dhe jo vetëm atëherë. E kemi lutur edhe tani. E kemi lutur në Gostivar, Tetovë, Strugë, Shkup e Prishtinë. E kemi lutur shumë. Por kësaj radhe fatkeqësisht nuk ia dolëm ta shqepim nga magjepsja e Aliut.
Herën e parë ia dolëm ta bindim t’u arratiset.
Tani, herën e dytë, jo. Iku tek Aliu. Motivi i panjohur.
Megjithëse një njeri nuk do të duhej të lutej për të ecur në rrugën e drejtë, realiteti e dëshmon shpesh të kundërtën. Jo të gjithë janë të aftë ta dallojnë atë rrugë. Prandaj e lutëm dhe e lutën sepse ishim të bindur që kjo do t’i bënte nder atij dhe anëtarëve të partisë së tij. Dhe i bëri mirë, u bëri mirë.
Por kësaj herë dështoi e bashkë me të edhe ne që nuk ia dolëm ta mbajmë në shtegun dhe kahjen e duhur.
Jeta dhe beteja vazhdon.