Qeveria shpall gjendje krize në Gostivar pas ndotjes së ujit
Në mbledhjen e 195-të të mbajtur sot, Qeveria, me propozim të Komitetit Drejtues i përbërë nga ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, si dhe anëtarët e jashtëm: ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, drejtori i SHPPP-së, Ivica Tomovski, drejtoresha e Institutit për Shëndet Publik, Marija Andonovska, drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Millanov, drejtoresha e Inspektoratit të Mjedisit Jetësor, Ivana Ginovska, si dhe kryetari i BNJVL-së dhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, solli vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në Komunën e Gostivarit në periudhë prej 30 ditësh.
“Duke pasur parasysh se pushteti lokal nuk është në gjendje të përballet me situatën e krijuar në Komunën e Gostivarit, Qeveria solli këtë vendim me qëllim të mundësimit të koordinimit më të shpejtë ndërinstitucional, vënies në funksion të sistemit të furnizimit me ujë dhe sigurimit të ujit të pijshëm në afatin më të shkurtër të mundshëm.
Shëndeti i qytetarëve të Komunës së Gostivarit mbetet prioritet i Qeverisë dhe jemi të përkushtuar për zgjidhjen e plotë të këtij problemi.
Njëkohësisht, presim që Prokuroria Publike të zhvillojë hetim të detajuar dhe ta zbardhë plotësisht rastin. Duhet të ketë përgjegjësi për secilin që ka vënë rrezik shëndetin dhe jetën e qytetarëve të Gostivarit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

