Qeveria rekomandoi punë nga shtëpia për të punësuarit në institucionet në ndërtesën e “Nova Makedonija”-s për shkak të avarisë teknike
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shqyrtuar në seancën e sotme situatën e krijuar pas avarisë teknike në ndërtesën e “Nova Makedonija”, ku janë të vendosura tetë institucione shtetërore.
Në seancë është shqyrtuar informacioni për pasojat e avarisë, aktivitetet e ndërmarra deri më tani, si dhe masat e planifikuara për sanimin e dëmeve dhe normalizimin e plotë të kushteve për punë.
Sipas Qeverisë, depërtimi i ujit në një pjesë të instalimeve elektrike kërkon kryerjen e kontrolleve të nevojshme teknike dhe të sigurisë përpara se objekti të rikthehet në funksion të rregullt.
Për këtë arsye, Qeveria ka miratuar një konkluzion me të cilin u rekomandohet institucioneve të vendosura në objekt që përkohësisht të riorganizojnë punën. Punonjësit do t’i kryejnë detyrimet e tyre përmes punës nga shtëpia, pa praninë fizike në ndërtesë.
Nga Qeveria theksojnë se masa është marrë për arsye parandaluese dhe të sigurisë, me prioritet mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së të punësuarve, ndërsa proceset e punës dhe funksionimi i institucioneve do të vijojnë pa ndërprerje.
“Shërbimet kompetente punojnë intensivisht për sanimin e pasojave dhe krijimin e kushteve për kthimin e sigurt dhe të plotë të të punësuarve në objekt”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

