Profesorë të Universitetit të Tetovës morën pjesë në simpoziume ndërkombëtare në Turqi dhe Kroaci

Profesorë të Universitetit të Tetovës morën pjesë në simpoziume ndërkombëtare në Turqi dhe Kroaci

Stafi akademik i Departamentit të Filologjisë Orientale të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës mori pjesë në dy simpoziume ndërkombëtare, të organizuara më 15 dhe 16 tetor 2026 në Turqi dhe Kroaci, duke prezantuar punime shkencore dhe duke kontribuar në shkëmbimin e përvojave akademike në nivel ndërkombëtar.

MARKETING

Shik.mk

Në Simpoziumin III Ndërkombëtar Ballkanik, të organizuar në Universitetin Namık Kemal në Tekirdağ të Turqisë, morën pjesë Prof. Dr. Sylejman Baki dhe Prof. Dr. Adnan Ismaili. Veprimtaria kishte për temë “Shkenca dhe arti në Ballkan gjatë periudhës osmane”, ndërsa diskutimet u përqendruan në aspekte të ndryshme historike dhe kulturore të zhvillimit të shkencës dhe artit në rajon gjatë kësaj periudhe.

Ndërkaq, në simpoziumin “Turqizmat në gjuhët ballkanike dhe studimet për mësimdhënien e gjuhëve”, të organizuar nga Instituti Yunus Emre në Zagreb të Kroacisë, mori pjesë Doc. Dr. Eljesa Ismaili. Në këtë veprimtari, e cila mblodhi studiues nga vende të ndryshme të Ballkanit, u trajtuan huazimet turke në gjuhët ballkanike, mësimdhënia e gjuhës turke dhe zhvillimet bashkëkohore në arsimin gjuhësor.

Gjatë simpoziumit në Zagreb, Doc. Dr. Eljesa Ismaili prezantoi kumtesën me titull “Turqizmat në të folmet shqipe të Kumanovës”. Gjithashtu, ai drejtoi një seancë shkencore gjatë ditës së dytë të veprimtarisë.

Pjesëmarrja e profesorëve të Universitetit të Tetovës në këto veprimtari ndërkombëtare dëshmon angazhimin e stafit akademik në kërkimin shkencor dhe në shkëmbimin e njohurive me studiues nga vende të ndryshme, duke kontribuar në promovimin e veprimtarisë shkencore të universitetit në arenën ndërkombëtare.

MARKETING