Presidenti somalez akuzon Izraelin se po shfrytëzon mosmarrëveshjen me Somalilandin

Presidenti somalez akuzon Izraelin se po shfrytëzon mosmarrëveshjen me Somalilandin

Presidenti i Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, dënoi njohjen e Somalilandit nga Izraeli, duke e akuzuar Tel Avivin se po shfrytëzon mosmarrëveshjen mes Mogadishut dhe rajonit të shkëputur, transmeton Anadolu.

Ai tha se njohja nga Izraeli e këtij rajoni përbën një nga ditët më të errëta në historinë e Somalisë.

“Tel Avivi po përfiton nga mosmarrëveshja e gjatë mes Mogadishut dhe Hargeisës”, tha Mohamud në një intervistë për Dawan TV, një media lokale me bazë në Mogadishu.

Ai tha se Mogadishu ka shqyrtuar dy rrugë të mundshme për ta trajtuar çështjen e rajonit të shkëputur dhe ka zgjedhur dialogun dhe bindjen në vend të forcës.

“Edhe pse zgjati mbi 30 vjet, kjo ishte qasja më e përshtatshme në rrethanat ekzistuese”, tha ai.

Somalia nuk ka vendosur kurrë marrëdhënie diplomatike me Izraelin, tha ai, duke shtuar se e sheh Izraelin si agresor ndaj popullit palestinez.

Izraeli e njohu Somalilandin si shtet të pavarur dhe sovran në fund të dhjetorit 2025.

Somalilandi, i cili nuk ka marrë njohje zyrtare që nga shpallja e pavarësisë nga Somalia në vitin 1991, funksionon si një entitet de facto i pavarur administrativ, politik dhe i sigurisë.

Qeveria e Somalisë refuzon ta njohë Somalilandin si shtet të pavarur, e konsideron atë pjesë integrale të territorit të saj dhe e sheh çdo marrëveshje apo angazhim të drejtpërdrejtë me të si shkelje të sovranitetit dhe unitetit të Somalisë.

MARKETING