Presidenti i PSG-së bën veprimin e papritur para finales së madhe ndaj Arsenalit

Presidenti i PSG-së bën veprimin e papritur para finales së madhe ndaj Arsenalit

Paris Saint-Germain po dëshmon edhe një herë se suksesi i klubit nuk i takon vetëm yjeve në fushë.

Sipas raportimeve të gazetarit Julien Froment, presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, ka vendosur të shpërblejë besnikërinë dhe punën e stafit duke ftuar rreth 500 punonjës të klubit për të ndjekur live finalen e madhe të Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit.

Finalja do të zhvillohet më 30 maj në Budapest dhe pritet të jetë një nga ndeshjet më të mëdha të sezonit evropian.

Në mesin e të ftuarve nuk do të jenë vetëm drejtuesit e klubit apo stafi teknik, por edhe punonjës administrativë, pjesëtarë të sigurisë, sektorit logjistik dhe departamenteve të tjera që kontribuojnë çdo ditë në funksionimin e klubit parisien.

Ky gjest i Al-Khelaifit shihet si një mesazh i qartë se triumfet ndërtohen nga një ekip i tërë dhe jo vetëm nga futbollistët në fushë.

PSG kishte ndërmarrë të njëjtën iniciativë edhe gjatë finales së mëparshme evropiane, duke krijuar një atmosferë uniteti brenda klubit.

“Les Parisiens” siguruan kualifikimin në finalen e dytë radhazi pas një përballjeje spektakolare ndaj Bayern Munich, ku triumfuan me rezultat të përgjithshëm 6-4 në gjysmëfinale.

Forma mbresëlënëse e skuadrës këtë sezon ka rritur ndjeshëm optimizmin te tifozët, të cilët besojnë se trofeu më i madh evropian mund të rikthehet sërish në Paris.

Përveç suksesit në Evropë, PSG po dominon edhe kampionatin francez. Ekipi kryeson renditjen e Ligue 1 me gjashtë pikë avantazh ndaj Lens, duke qenë në rrugë të mirë për një tjetër titull vendor.

Me atmosferën pozitive brenda klubit dhe mbështetjen e madhe nga tifozët, finalja ndaj Arsenalit pritet të jetë kulmi i një sezoni të jashtëzakonshëm për PSG-në.

MARKETING