Pep Guardiola në mënyrë sekrete po negocion me Brazilin
Trajneri Pep Guardiola thuhet se është duke biseduar në mënyrë sekrete për t’u bërë përzgjedhës i Brazilit në vitin 2026.
Tekniku katalunas ka hyrë në gjashtë muajt e fundit të kontratës me Manchester Cityn, ndërsa sugjerimet e fundit thonë se do ta rinovojë kontratën edhe për një vit.
Sipas “Sport”, Guardiola tashmë e di se ku do të jetë në vitin 2026 ngase është duke negociuar me kombëtaren e Brazilit. Aktualisht presidenti i Federatës Braziliane Ednaldo Rodrigues do t’i përfundojë mandati, ndërsa legjenda Ronaldo “Fenomeni” pritet të kandidojë.
Ronaldo, aktualisht president i skuadrës Real Valladodil në mënyrë private ka konfirmuar se dëshiron ta drejtojë futbollin brazilian dhe tashmë e ka njoftuar Guardiolan se do ta punësojë në vitin 2026.
Dyshja ishin bashkëlojtar te Barcelona dhe thuhet se kanë kontakte shumë të mira që atëherë, ndërsa edhe vëllau i Guardiolas Pere, që në të kaluarën ka punuar me Ronaldon është i përfshirë në këtë plan.
Guardiola megjithatë ende nuk i ka konfirmuar Ronaldos se është gati për këtë sfidë të re, ngase momentalisht është i fokusuar për ta rikthyer Manchester Cityn në nivelin e duhur, sidomos pas katër humbjeve radhazi që pësuan.