Pentagoni do të rrisë me 500 për qind prodhimin e predhave artilerike për Ukrainën

Pentagoni do të rrisë me 500 për qind prodhimin e predhave artilerike për Ukrainën

Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së (Pentagon) synon të rrisë prodhimin e predhave të artilerisë me 500 për qind brenda dy viteve, në mënyrë që të kompensojë mungesën e stoqeve për shkak të mbështetjes ushtarake të SHBA-së për Ukrainën dhe të krijojë rezerva për konfliktet në të ardhmen, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një lajmi të “The New York Times”, i cili bazohet në një raport të ushtrisë së SHBA-së, me këtë iniciativë të Pentagonit, prodhimi i predhave 155 milimetra që i nevojiten Ukrainës do të rritet në 90 mijë në muaj në dy vjet dhe me këtë numër prodhimi do të rritet me 500 për qind.

Nisma, e cila do të përfshijë zgjerimin e fabrikave dhe sjelljen e prodhuesve të rinj, është pjesë e “përpjekjes më agresive të modernizimit në gati 40 vjet” për bazën e industrisë së mbrojtjes së SHBA-së.

Përpara fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, ushtria e SHBA-së prodhonte 14.400 predha të padrejtuara në muaj, ndërsa objektivi i prodhimit të Pentagonit ishte trefishuar në shtator 2022 dhe dyfishuar në janar 2023, për shkak të nevojave të Ukrainës për furnizim.

Ukraina përdor predha artilerie të padrejtuara

Edhe pse Ukraina përdor më shumë predha të padrejtuar, Pentagoni preferon armë të drejtuara me saktësi, që janë më të shtrenjta. Në këtë kontekst, investimi i ri i Pentagonit në prodhimin e topave shihet më shumë si një koncesion.

Nga ana tjetër, arma më e përdorur nga trupat e Rusisë dhe Ukrainës që nga shkurti i vitit 2022 janë predhat artilerike të padrejtuara.

Ky vendim i Pentagonit shihet si një shenjë se SHBA-ja është e vendosur të mbështesë Ukrainën në luftën Rusi-Ukrainë.

Megjithatë, Pentagoni do të shpenzojë rreth 1 miliard dollarë çdo vit gjatë 15 viteve të ardhshme për të modernizuar objektet shtetërore të prodhimit të municioneve, si dhe për të financuar objekte të reja për prodhimin e municioneve artilerike.

“Do të fillojmë të bëjmë hapin e parë të rëndësishëm në numrin e predhave në muaj”

Ndihmëssekretari i Ushtrisë për Furnizimin, Logjistikën dhe Teknologjinë, Douglas R. Bush, ka thënë se SHBA-ja është një nga vendet e pakta që ka një rezervë të konsiderueshme të armëve të tilla si në kohë lufte, ashtu edhe në kohë paqeje.

“Këtë verë, ne do të fillojmë të bëjmë hapin e parë të rëndësishëm në numrin e predhave në muaj”, ka deklaruar Bush, duke shtuar se rritja e planifikuar e prodhimit do të mbështesë nevojat e Ukrainës në të njëjtën kohë.

Bush ka thënë se prodhuesi i katërt vendas i predhave prej 155 milimetrash do të shpallet së shpejti.