OKB-ja i bën thirrje Izraelit t’i japë fund ngacmimeve, frikësimit dhe ndalimit të civilëve në Siri

OKB-ja i bën thirrje Izraelit t’i japë fund ngacmimeve, frikësimit dhe ndalimit të civilëve në Siri

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut u ka bërë thirrje autoriteteve izraelite që t’u japin fund veprimeve që ngacmojnë ose frikësojnë civilët në jug të Sirisë, përfshirë bastisjet ushtarake, kufizimet e lëvizjes, ndalimet dhe shkatërrimin e të mbjellave, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Zyra iu referua monitorimit të burimeve të hapura, sipas të cilit vetëm gjatë muajit shtator u regjistruan rreth 280 incidente përfshinin inkursione të armatosura izraelite në Siri, shifra më e lartë mujore që nga fillimi i vitit. Sipas informacioneve të marra nga zyra, 49 sirianë vazhdojnë të mbahen në paraburgim izraelit, megjithëse ajo theksoi se nuk e kishte verifikuar në mënyrë të pavarur numrin e përgjithshëm aktual të të ndaluarve.

Të ndaluarit e liruar dhe burime të tjera kanë raportuar torturë dhe keqtrajtim, përfshirë rrahje, qëndrim të detyruar në këmbë për periudha të gjata dhe kërcënime ndaj të ndaluarve dhe familjeve të tyre. “Autoritetet izraelite duhet t’u japin fund veprimeve që ngacmojnë ose frikësojnë civilët në fshatrat siriane, përfshirë bastisjet, kufizimet e lirisë së lëvizjes, ndalimet dhe shkatërrimin e të mbjellave”, u tha gazetarëve në Gjenevë, zëdhënësja Shabia Mantoo.

Ajo tha se shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, është i “shqetësuar për ndikimin e vazhdueshëm të operacioneve ushtarake izraelite mbi civilët në jug të Sirisë”. Zyra ka marrë raportime se forcat izraelite qëlluan dhe ndaluan përkohësisht një fermer me aftësi të kufizuara në Quneitra të mërkurën.

Sipas raportimeve, fermeri u mbajt i ndaluar ndërsa ishte duke gjakosur dhe u lirua pas një ore e gjysmë. Më pas, pjesëtarët e Mbrojtjes Civile Siriane e transportuan atë në Spitalin Al-Golan. Në një rast tjetër, një sirian 22-vjeçar raportohet se u vra nga forcat izraelite pranë Al-Hamidiyah të hënën, duke bërë që Turk të kërkojë një hetim të shpejtë dhe të paanshëm.

“Nuk ka të dhëna se janë qëlluar të shtëna paralajmëruese”, tha Mantoo. Zyra theksoi se të gjitha ndalimet duhet të jenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe se të drejtat themelore të personave të ndaluar duhet të respektohen.

“Asnjë person nuk mund të ndalohet pa një bazë të përshtatshme në të drejtën ndërkombëtare ndërsa garancitë e rëndësishme procedurale të parashikuara nga e drejta ndërkombëtare e zbatueshme për të drejtat e njeriut dhe e drejta ndërkombëtare humanitare, të cilat mbrojnë çdo individ të marrë në paraburgim, duhet të respektohen plotësisht”, tha Mantoo.

“Të gjithë të ndaluarit duhet të trajtohen në mënyrë që të respektohen dinjiteti dhe të drejtat e tyre të njeriut”, shtoi ajo.

MARKETING