OKB-ja bën thirrje për mbrojtjen e civilëve në Gaza

OKB-ja bën thirrje për mbrojtjen e civilëve në Gaza

OKB-ja ka përsëritur kërkesën për mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës civile në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

OKB-ja tha se civilët “nuk duhet të jenë kurrë objektiv apo të përdoren për qëllime ushtarake”, mes raportimeve të vazhdueshme për të vrarë dhe të plagosur nga sulmet ajrore, bombardimet dhe të shtënat izraelite.

Zëdhënësi i shefit të OKB-së, Stephane Dujarric, u tha gazetarëve se Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) vazhdon të marrë raportime për civilë palestinezë të vrarë, të plagosur ose të prekur në mënyra të tjera nga operacionet ushtarake izraelite në Gaza.

“Kjo përfshin edhe fëmijët, siç mund të merret me mend, duke pasur parasysh kushtet e mbipopulluara në Rripin e Gazës.

“Vazhdojmë të bëjmë thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës civile. Civilët nuk duhet të jenë kurrë objektiv apo të përdoren për qëllime ushtarake”, tha Dujarric.

Deklaratat e tij erdhën pasi 10 palestinezë u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën gjatë 24 orëve të fundit në Gaza, duke e çuar në 73.417 numrin e të vrarëve nga gjenocidi i Izraelit në enklavën e bllokuar që nga tetori 2023.

Dujarric tha se trupat e 50 personave, përfshirë 19 fëmijë, të cilët ishin vrarë më shumë se dy vjet më parë, u nxorën së fundmi nga rrënojat në Gaza dhe u varrosën.

Ai tha se përpjekjet për nxjerrjen e trupave dhe largimin e rrënojave vazhdojnë të jenë të kufizuara rëndë, duke përmendur kufizimet për hyrjen e makinerive të rënda, pjesëve rezervë, lubrifikantëve dhe furnizimeve të tjera thelbësore, si dhe qasjen e kufizuar në zona të mëdha të enklavës së rrethuar.

“Ndërkohë, partnerët tanë humanitarë që punojnë në fushën e strehimit raportuan sot se 94% e 2.1 milionë banorëve të Gazës kanë nevojë për strehim dhe ndihmë bazë për familjet”, shtoi ai.

Më shumë se katër në pesë familje përballen me nivele “kritike ose katastrofike” të urisë në strehimoret e tyre, të cilave u mungojnë karburanti, energjia dhe artikujt bazë të nevojshëm për familjet, tha Dujarric.

MARKETING