OKB i kërkon SHBA-së të lehtësojë hyrjen e zyrtarëve palestinezë mes raportimeve për refuzim të mundshëm për Abbasin
OKB-ja ka bërë të ditur se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga SHBA-ja lidhur me raportimet se presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, mund t’i pamundësohet pjesëmarrja në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë vit, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, u tha gazetarëve se aplikimet për viza të krerëve të shteteve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë trajtohen nga SHBA-ja si vend pritës dhe jo nga Sekretariati i OKB-së.
“Nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar nga SHBA-ja”, tha Dujarric, duke shtuar se OKB-ja është në dijeni të raportimeve.
Disa media lokale raportuan se administrata e presidentit Donald Trump po planifikonte, për të dytin vit radhazi, t’ia ndalonte presidentit Abbas udhëtimin në New York për t’iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së muajin e ardhshëm.
Dujarric tha se qëndrimi i OKB-së është se SHBA-ja duhet të përmbushë detyrimet e saj sipas marrëveshjes për vendin pritës, e cila synon të lehtësojë hyrjen e diplomatëve dhe zyrtarëve qeveritarë që udhëtojnë në New York për çështje që lidhen me OKB-në.
“Kemi parë raste në të kaluarën kur vendi pritës ka refuzuar viza. Thirrja dhe shpresa jonë mbetet që vendi pritës të përmbushë detyrimet sipas marrëveshjes për vendin pritës, e cila synon të lehtësojë udhëtimin drejt New Yorkut, në SHBA, të personave që kanë punë pranë OKB-së, diplomatëve dhe zyrtarëve qeveritarë”, shtoi ai.
I pyetur nëse kufizimet për hyrjen e zyrtarëve të huaj mund të ndikojnë në pavarësinë e OKB-së, Dujarric tha se kjo çështje është ngritur edhe më parë, përfshirë në mosmarrëveshjet që kanë përfshirë delegacionet ruse.
“Këto janë çështje që Sekretariati i ka ngritur drejtpërdrejtë me vendin pritës dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha ai.

