Nga mbrojtja e Zvërnecit te kërkesa për dorëheqje, qytetarët shqiptarë prej 15 ditësh në protestë
Në Shqipëri vazhdojnë protestat mbi çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit në Qarkun e Vlorës, kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura, dhe sipas protestuesve kundër qeverisjes në vend, duke hyrë në ditën e 15-të.
Mijëra protestues, janë mbledhur sërish në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit në Zvërnec, si dhe me kërkesa të tjera.
Në vend ka pasur pretendime se projekti lidhet me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump, duke shkaktuar reagime dhe protesta në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Protestuesit edhe sot janë mbledhur fillimisht në Sheshin “Skënderbeu”, për të vijuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ku mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta kundër qeverisë së Ramës.
Ndërkohë, në protestën në Tiranë marrin pjesë edhe protestues nga qytete të tjera të vendit dhe nga diaspora.
Për Anadolu disa nga protestuesit janë shprehur se kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe ndryshimin e qeverisjes në vend.
“Ne kërkojmë që kryeministri Rama të dorëhiqet”
Valbert Allaraj, 23 vjeç shprehet se do të dalin në protestë çdo ditë, sipas tij derisa të arrijnë qëllimin e tyre.
“Ne kemi dalë në protestë sepse kryeministri (Rama) nuk ka zbatuar ligjet, nuk ka zbatuar të drejtat tona dhe nuk ka kontribuuar për komunitetin. Kanë parë(qeveritarët) vetëm interesat e veta, të gjithë si parlament. Ne kërkojmë që kryeministri të dorëhiqet sa më parë dhe të zgjedhim një person tjetër që kontribuon dhe bën për Shqipërinë. Çdo ditë do të dalim (në protestë) derisa ne të arrijmë qëllimin ku jemi nisur dhe ku mblidhemi të gjithë për këtë qëllim”, tha Allaraj.
Protestuesja: Do të vazhdojmë protestat çdo ditë
Nadia Aliaj, 30 vjeçe, u shpreh se ka ardhur koha që kryeministri Rama të dorëhiqet.
“Kam dalë në protestë për të drejtat tona sepse çdo vend i Shqipërisë po shitet. Nuk jemi kundër turizmit, por jemi kundër shitjes dhe kundër copëtimit të Shqipërisë. Unë mendoj se çdo person ka të drejtë ta marrë në drejtim Shqipërinë , ta provojmë, ta testojmë dhe po nuk bën ta heqim”, tha Aliaj. Ajo theksoi se do të vazhdojnë protestat çdo ditë.
Të nismuar nga aktivistë dhe të mbështetura nga qytetarët, protesta janë zgjeruar në ditët e fundit edhe mbi çështje të tjera, si shfuqizimin kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, shfuqizimin ligjit të njohur si “Paketa e Maleve” dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Në lidhje me këtë çështje, në ditët e fundit janë organizuar protesta të ngjashme edhe në qytete të tjera të vendit, ndërkohë janë mbajtur protesta edhe nga shqiptarët që jetojnë në disa vende të Evropës.
Gjatë një proteste më 30 maj në zonën e Zvërnecit u shënuan incidente, ku sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa roje të një kompanie private të sigurisë tërhoqën zvarrë një qytetar, duke shkaktuar më pas fillimin e protestave në Tiranë.
Në lidhje me çështjen, kryeministri Rama ka deklaruar se projekti në Zvërnec po ndjek të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur një projekt përfundimtar apo studim të plotë të ndikimit në mjedis.
Gjithashtu në media është raportuar se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) ka filluar hetimet për çështjen e Zvërnecit, ndërsa prokuroria ende nuk ka publikuar një njoftim zyrtar.

