Në sulmet e Izraelit në Gaza rritet në 256 numri i personave që kanë humbur jetën

Është rritur në 256 numri i personave që kanë humbur jetën në sulmet e Izraelit ndaj Gazës nën bllokadë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza informohet lidhur me humbjet e jetëve në palën palestineze pas sulmit “Tufani i Aksa-së” që Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit filluan kundër Izraelit nga Rripi i Gazës nën bllokadë.
Në deklaratë thuhet se në sulmet e Izraelit ndaj Gazës kanë humbur jetën 256 persona, përfshirë 20 fëmijë dhe se janë plagosur 1.788 të tjerë nga të cilët 121 prej tyre janë fëmijë.
– Numri i izraelitëve të plagosur rritet në 1.864
Në një deklaratë nga Ministria izraelite e Shëndetësisë thuhet se është rritur në 1.864 numri i izraelitëve që janë plagosur në sulmet e kryera nga Rripi i Gazës nën bllokadë.
Po ashtu në deklaratën bëhet e ditur se 345 nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.
– Izraeli evakuon izraelitët në kufi me Gazën
Në një deklaratë nga ushtria izraelite thuhet se ka filluar evakuimi i izraelitëve që jetojnë një njësitë e vendbanimeve hebreje në kufirin me Rripin e Gazës dhe se kontrolli është rimarrë në shumë rajone.
“Kemi arritur të marrim sërish kontrollin e shumicës së rajoneve që u sulmuan. Luftimet vazhdojnë në njësinë e vendbanimit Beiri”, thuhet në deklaratë.
– Çfarë ka ndodhur
Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit dje në mëngjes njoftoi nisjen e një sulmi gjithëpërfshirës të emërtuar “Tufani i Aksa-së” kundër Izraelit.
Nga Gaza në drejtim të Izraelit u lëshuan mijëra raketa ndërsa edhe grupet e armatosura hynë në vendbanimet në rajon.
Pas operacionit “Tufani i Aksa-së” edhe ushtria izraelite njoftoi se ka filluar sulm me dhjetëra avionë luftarakë ndaj Rripit të Gazës.