Kancelari gjerman paralajmëron kundër planeve për rritje masive të buxhetit afatgjatë të BE-së
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, është takuar me pesë krerë të tjerë qeverish evropiane për të krijuar një aleancë kundër planeve për një rritje masive të buxhetit afatgjatë të BE-së, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa, Merz në Berlin tha se grupi, i përbërë nga Gjermania, Holanda, Danimarka, Austria, Finlanda dhe Suedia, pajtohet se buxheti duhet të shkurtohet me disa qindra miliardë euro krahasuar me propozimin e Komisionit Evropian.
“Dhe këto shkurtime do të duhet të prekin të gjitha fushat. U dakorduam që të hyjmë në konsultimet në Bruksel me një qëndrim të përbashkët, buxheti i BE-së duhet të mbetet financiarisht i përballueshëm”, shtoi ai.
Sipas kancelarit Merz, propozimet aktuale të Komisionit Evropian për buxhetin parashikojnë një rritje deri në 60 për qind.
“Në një kohë konsolidimi buxhetor në të gjitha shtetet anëtare, kjo është thjesht e papërballueshme”, tha kancelari.
Merz u takua në Kancelari me krerët e qeverive të Danimarkës, Austrisë dhe Finlandës. Krerët e qeverive të Holandës dhe Suedisë iu bashkuan takimit përmes videokonferencës.
Grupi e konsideron të papranueshëm propozimin aktual të Komisionit Evropian për buxhetin.
– Negociata të vështira për financimin
Synimi aktual është arritja e një kompromisi deri në fund të vitit, pra përpara zgjedhjeve presidenciale në Francë.
Megjithatë, arritja e një marrëveshjeje mes shteteve anëtare të BE-së për madhësinë e buxhetit të ri të unionit deri në fund të vitit konsiderohet jashtëzakonisht ambicioze, pasi qëndrimet e 27 shteteve anëtare janë shumë larg njëra-tjetrës dhe kërkohet një vendim unanim.
Derisa Merz përsëriti se synimi është fundi i vitit 2026, ai shtoi: “Nuk është e domosdoshme të ndodhë, por do të ishte mirë nëse do të arrinim ta realizonim”.
– “Realizëm”
Merz tha se ekziston një interes i përbashkët për të kërkuar realizëm dhe reforma në negociata. Ai shtoi se nuk po tregohen dorështrënguar, por se propozimet e Komisionit Evropian nuk janë në përputhje me realitetin e kohës.
Grupi financon rreth 40 për qind të buxhetit evropian.
“Kjo do të thotë se ne jemi, si të thuash, grupi i kontribuuesve kryesor në buxhetin evropian”, tha kancelari.

