Guterres shpreh solidaritet me viktimat e krimeve për të cilat Mlladiq u shpall fajtor

Guterres shpreh solidaritet me viktimat e krimeve për të cilat Mlladiq u shpall fajtor

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, pas lajmit për vdekjen e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, shprehu solidaritet me viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre që vuajtën nga krimet për të cilat ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska u shpall fajtor, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

Duke rikujtuar se Mlladiq po vuante dënimin me burgim të përjetshëm pasi Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në vitin 2017 e shpalli fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës, vendim që u konfirmua nga Dhoma e Apelit e Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale më 8 qershor 2021, Guterres shprehu solidaritet me viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre.

“Këto konstatime gjyqësore janë përfundimtare dhe faktet e përcaktuara përfundimisht përmes tyre janë pjesë e dokumentimit historik. Sekretari i përgjithshëm përsërit thirrjen e tij për të gjithë ata që mbajnë pozita pushteti që të përmbahen nga mohimi i rëndësisë së krimeve për të cilat janë dhënë vendime gjyqësore”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të OKB-së, Stephane Dujarric.

Shefi i OKB-së “dënon fuqishëm çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si ngjarje historike dhe të gjitha veprimet që glorifikojnë personat e dënuar nga gjykatat ndërkombëtare për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”.

“Përgjegjësia mbetet një hap kyç për paqen e qëndrueshme, besimin dhe pajtimin në rajon. OKB-ja mbeten plotësisht të përkushtuara për të mbështetur përpjekjet që synojnë sigurimin e përgjegjësisë dhe drejtësisë për të gjithë”, thuhet në deklaratë.

Mlladiq vdiq sot në moshën 84-vjeçare teksa vuante dënimin me burgim të përjetshëm në Hagë. Ai ishte dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, përfshirë gjenocidin e Srebrenicës të vitit 1995.

MARKETING