NATO shpreh solidaritet me Gjermaninë pas “sulmit hibrid” të pretenduar rus në Leipzig
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka shprehur solidaritetin e plotë të aleancës me Gjermaninë pas asaj që ai e përshkroi si një sulm hibrid rus në qytetin lindor Leipzig muajin e kaluar, transmeton Anadolu.
Rutte në rrjetin social amerikan X tja se kishte biseduar me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, për incidentin e 14 gushtit.
“NATO qëndron në solidaritet të plotë me Gjermaninë pas sulmit hibrid rus në Leipzig më 14 gusht. Provat janë të qarta”, tha Rutte, duke mirëpritur masat e njoftuara nga Berlini si përgjigje ndaj incidentit.
Rutte tha se NATO do të vazhdojë të forcojë aftësinë e saj për të frenuar kërcënimet dhe për të mbrojtur të gjitha shtetet anëtare, përfshirë nga “veprimet keqdashëse” si ato të vërejtura në Leipzig dhe në vende të tjera të aleancës.
“Përpjekjet e Rusisë për të na frikësuar, për të minuar unitetin tonë dhe gatishmërinë tonë për të mbështetur Ukrainën janë të kota dhe do të dështojnë”, tha ai.
Ai shtoi se mbështetja e NATO-s për Ukrainën mbetet “e palëkundur”, së bashku me “angazhimin e hekurt” të aleancës për mbrojtjen kolektive.
Javën e kaluar, autoritetet gjermane u thanë mediave se tentativa për sulm ndaj një avioni ukrainas të transportit Antonov në Aeroportin e Leipzigut në muajin gusht ishte më serioze nga sa ishte përshkruar fillimisht. Droni ishte pajisur me eksplozivë, ndërsa hetuesit arritën në përfundimin se në incident ishin përfshirë disa dronë dhe jo vetëm një.
Gazeta gjermane Welt am Sonntag gjithashtu raportoi se zbulimi i një sasie armësh të fshehura pranë Berlinit ka ashpërsuar qëndrimin e qeverisë gjermane. Agjencia gjermane e inteligjencës së brendshme BfV vlerësoi se armët ishin fshehur për spiunë rusë, të cilët mund të urdhëroheshin nga Moska për të kryer atentate.
Ambasada ruse në Berlin nuk ka lëshuar ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me akuzat. Moska më herët ka hedhur poshtë pretendimet për atentate, sabotime dhe spiunazh në vendet aleate të Ukrainës, duke akuzuar qeveritë perëndimore se po nxisin “paranojë antiruse”.

