Mustafa: Tezat nacionaliste nxitën “luftën” kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve
Avokati Milazim Mustafa ka vlerësuar se kundërshtimet dhe “lufta” kundër Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve janë nxitur nga teza nacionaliste, të cilat, sipas tij, kanë krijuar perceptimin e gabuar se me këtë ligj është avancuar në mënyrë të tepruar gjuha shqipe.
Duke folur sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, Mustafa theksoi se avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe, edhe pas miratimit të ligjit në vitin 2019, nuk është realizuar në të gjithë sektorët, por vetëm në fusha të caktuara.
“Padyshim se është si rezultat i atyre tezave nacionaliste të cilat mbretëruan, duke menduar se me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve u bë një avancim i tejskajshëm i gjuhës shqipe, gjë që nuk është e vërtetë. Edhe me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve të vitit 2019 është bërë një avancim i theksuar i gjuhës shqipe. Megjithatë, avancimi i gjuhës shqipe, në përputhje me ligjin, është arritur vetëm në sektorë të caktuar. Për shembull, aty ku kishte marrëveshje politike, emërtimet e institucioneve, memorandumet dhe vulat realizoheshin brenda natës”, deklaroi Mustafa.

