Ngritet akuzë për tre vepra penale kundër sulmuesit të vajzës në Ohër, kërkohet edhe paraburgim

Ngritet akuzë për tre vepra penale kundër sulmuesit të vajzës në Ohër, kërkohet edhe paraburgim

Prokuroria Themelore Publike në Ohër ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore dhe ka ngritur aktakuzë ndaj një personi, i dyshuar për kryerjen e tri veprave penale në kuadër të një rasti të dhunës në familje: lëndim trupor, privim i paligjshëm nga liria dhe rrezikim i sigurisë.

MARKETING

Shik.mk

Njëkohësisht, duke marrë parasysh rrethanat e rastit dhe seriozitetin e veprave për të cilat akuzohet, prokurori publik i ka propozuar Gjykatës Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i akuzuari dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme e ka privuar nga liria, e ka sulmuar fizikisht, e ka lënduar dhe i ka rrezikuar sigurinë viktimës.

Në kuadër të procedurës, viktima është ekzaminuar gjatë ditës së sotme në prani të përfaqësuesve të shërbimeve sociale. Gjithashtu, është urdhëruar dhe realizuar ekspertizë për të përcaktuar llojin dhe natyrën e lëndimeve të shkaktuara.

Prokuroria ka bërë të ditur se i pandehuri është siguruar dhe ka qenë nën kontrollin e organeve kompetente që nga fillimi i procedurës.

Ky zhvillim vjen pas reagimeve të shumta nga partitë opozitare dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat më herët ngritën shqetësime për trajtimin institucional të rastit të dhunës ndaj një 26-vjeçareje.

Platforma për Barazi Gjinore, Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Rrjeti Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave kishin deklaruar se sulmi ndaj gruas kishte vazhduar edhe në automjet, deri në momentin kur ajo kishte humbur ndjenjat. Organizatat kishin kritikuar gjithashtu vendimin fillestar të gjykatës për shqiptimin vetëm të masave paraprake.

Me ngritjen e aktakuzës dhe kërkesën për paraburgim, Prokuroria ka ndërmarrë një hap të mëtejshëm në trajtimin e këtij rasti, i cili ka nxitur reagime dhe shqetësim të madh në opinionin publik.

MARKETING