Moska: Vendosja e sistemeve raketore amerikane në Norvegji, veprim shumë destabilizues nga NATO
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova tha sot se vendosja e sistemeve raketore amerikane në Norvegji është tjetër veprim “shumë destabilizues” nga NATO dhe akuzoi aleancën se po kërkon të zgjerojë aftësinë e saj për të nisur sulme raketore thellë në territorin rus, transmeton Anadolu.
“Vendosjen e sistemeve amerikane të afta për të lëshuar raketa me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi në Evropë e konsiderojmë si një hap tjetër në serinë e pafundme të veprimeve shumë destabilizuese nga vendet e NATO-s”, tha Zakharova.
Ajo akuzoi NATO-n se po kërkon të vendosë kontroll mbi rrugët kryesore detare në rajon, duke thënë se sistemet amerikane të vendosura në Norvegji bazohen në qelizat e lëshimit Mk-41 të afta për të qëlluar raketa kundër objektivave në tokë dhe në det.
Zakharova tha se sistemet mund të lëshojnë raketa lundrimi Tomahawk me rreze të gjatë veprimi dhe se vendosja e tyre në Norvegji e vendos një pjesë të konsiderueshme të Rusisë evropiane, përfshirë Moskën, brenda rrezes së veprimit.
“Kështu, këto sisteme raketore mund të përdoren në veprime agresive nga vendet e NATO-s kundër vendit tonë për të zgjidhur problemet strategjike”, tha ajo.
Zëdhënësja paralajmëroi se sistemet raketore amerikane dhe infrastruktura e tyre e komandës dhe mbështetjes në Norvegji do të bëhen fokus i forcave strategjike të pengimit të Rusisë, përfshirë planifikimin për përdorimin e aftësive sulmuese në rast të një konflikti të armatosur.
Lidhur me bisedimet për stabilitet strategjik me SHBA-në, Zakharova tha se dialogu nuk ka ngecur, por është “ndërprerë në mënyrë të njëanshme” nga administrata e ish-presidentit Joe Biden.
Ajo kritikoi thirrjet e administratës aktuale amerikane për negociata shumëpalëshe që përfshijnë Kinën, duke thënë se Pekini e ka bërë të qartë vazhdimisht se ka arsye të forta për të mos marrë pjesë në këtë fazë.
Zakharova tha se kushtet për bisedime thelbësore dhe produktive për stabilitet strategjik midis Moskës dhe Washingtonit nuk janë vendosur.
“Hapa të tillë si vendosja e sistemeve të raketave tokësore amerikane me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi në Evropë që kërcënojnë Rusinë, për ta thënë butë, do të ‘zerojnë’ parakushtet për bisedime konstruktive me SHBA-në mbi çështjet strategjike”, tha ajo.

