Ministri i Jashtëm iranian: Nuk dërguam raketa balistike në Rusi, sanksionet nuk janë zgjidhje

Ministri i Jashtëm iranian: Nuk dërguam raketa balistike në Rusi, sanksionet nuk janë zgjidhje

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha të mërkurën se Teherani nuk i ka dorëzuar raketat balistike Rusisë, duke shtuar se sanksionet e vendosura nga SHBA dhe vendet e tjera kundër Iranit nuk janë zgjidhje.

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken konfirmoi të martën se Rusia ka marrë raketa balistike nga Irani, madje duke paralajmëruar se “ka gjasa t’i përdorë ato brenda javësh në Ukrainë”.

Sekretari amerikan i Shtetit tha gjithashtu se Rusia ndan teknologjinë me Iranin, duke përfshirë çështjet bërthamore, dhe përsëriti se Uashingtoni e ka paralajmëruar Teheranin publikisht dhe privatisht se ofrimi i raketave balistike do të ishte “një përshkallëzim dramatik”.

Menjëherë pas njoftimit, SHBA dhe qeveritë e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë dënuan me forcë transferimin e raketave balistike iraniane në Rusi dhe njoftuan se do të punonin së bashku për të sanksionuar Iran Air si rezultat.

“Ky akt është një përshkallëzim nga ana e Iranit dhe Rusisë dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë evropiane”, thuhet në deklaratën e përbashkët të të tre vendeve evropiane.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani, pas zhvillimeve njoftoi se Teherani do t’i përgjigjet në përputhje me rrethanat sanksioneve të Britanisë, SHBA-ve dhe aleatëve.

Gjithashtu, ministria e Jashtme e Iranit dënoi të martën vendimin për të anuluar marrëveshjet dypalëshe të transportit ajror nga Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar me qëllim vendosjen e sanksioneve ndaj Teheranit për transferimin e fundit të raketave në Rusi.

MARKETING