(VIDEO) Mickoski: Interes i madh i kompanive turke për të investuar në RMV

(VIDEO) Mickoski: Interes i madh i kompanive turke për të investuar në RMV

Kryeministri, Hristijan Mickoski, ka ftuar biznesmenët turq të investojnë në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se “dyert janë të hapura, mundësitë janë reale dhe mund ta ndërtojmë të ardhmen së bashku”. Duke folur në Forumin e Biznesit Turqi-Maqedoni e Veriut në Stamboll, të organizuar nga Bordi i Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike (DEIK), Mickoski theksoi se Turqia ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991, duke shtuar se miqësia politike duhet të përkthehet në bashkëpunim konkret ekonomik.

Ndërkaq, në deklaratën e dhënë pas forumit, Mickoski tha se, qëllimi i tyre është që të ndërlidhin ekonominë dhe bizneset e Maqedonisë me bizneset e Stambollit.

Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së

Ekziston një interes vërtet i madh nga biznesmenët turq për të investuar në Maqedoni, ndërsa ajo që ne do të bëjmë gjatë këtyre dy ditëve këtu në Stamboll është të prezantojmë mundësitë e ekonomisë maqedonase dhe të gjitha mundësitë dhe mbështetjen që ne, si Qeveri, ofrojmë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte”.

Ndërkaq, ministri i Tregtisë së Turqisë, Omer Bolat theksoi se besojnë që ky forum do të jetë një pikë e rëndësishme kthese mes sektorëve privatë të dy vendeve mike dhe vëllazërore, duke kontribuar që bizneset të përfitojnë maksimalisht.

Omer Bolat, Ministri i Tregtisë së Turqisë

“Ne e dimë se investitorët turq renditen të parët për nga numri i kompanive të huaja në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu, Turqia renditet e dyta për nga vlera e investimeve të huaja direkte në Maqedoninë e Veriut. Kontraktorët turq kanë arritur suksese të rëndësishme në marrjen përsipër dhe përfundimin me sukses të projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe transportit në Maqedoninë e Veriut. Në fushën e turizmit, Maqedonia e Veriut renditet e para në rajonin e Ballkanit për turistët turq”.

Mickoski po qëndron për vizitë pune në Stamboll të Turqisë, së bashku me një delegacion qeveritar. Fokusi i vizitës është thellimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimit tregtar, tërheqjen e investimeve të reja, avancimin e lidhjeve infrastrukturore, bashkëpunimin energjetik dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta me rëndësi strategjike. /SHENJA/

MARKETING