Mexhiti paralajmëron lëvizje të mëdha: Fronti Evropian është shpërbërë!

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, deklaroi se koalicioni Fronti Evropian ka pushuar së ekzistuari, duke akuzuar liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, për prishjen e marrëveshjeve brenda frontit përmes bashkëpunimit me Arben Taravarin nga koalicioni VLEN.
Sipas Mexhitit, ishte pikërisht ky bashkëpunim që theu rregullat e brendshme të koalicionit. Ai theksoi se përplasjet dhe lëvizjet politike po bëhen gjithnjë e më të dukshme, ndërsa shtoi se situata mbetet e paqëndrueshme dhe pritet që të ketë zhvillime të reja.
“Ka deklarata se ‘Fronti Evropian’ nuk ekziston më. Këtë e ka thënë z. Taravari, dhe si duket ata që janë jashtë e kuptojnë më mirë situatën se ata që janë brenda. Në këtë rast, rregullën e ka thyer z. Ahmeti duke bashkëpunuar me pjesë të VLEN-it apo me Taravarin. Nëse është kështu, loja nuk ka përfunduar dhe pres që të ketë lëvizje më të mëdha”, deklaroi Mexhiti.
Ai nuk u shpreh qartë nëse Ziadin Sela do t’i bashkohet koalicionit VLEN, por la të kuptohet se janë në pritje të zhvillimeve të mëtejshme. Mexhiti shtoi gjithashtu se VLEN-i po fiton mbështetje edhe nga deputetë të tjerë, duke e cilësuar atë si një subjekt politik që artikulon interesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.