Mexhiti: Deklarata e ministres serbe tregon fytyrën e vërtetë të Open Balkanit
Bashkëkryetari i partisë VLEN, Izet Mexhiti, ka reaguar ndaj deklaratës së një ministreje të Qeverisë së Serbisë për ish-presidentin Sllobodan Millosheviq, duke e cilësuar atë si skandaloze dhe duke kritikuar mungesën e reagimit nga autoritetet serbe.
“‘Po të isha Sllobodan Millosheviqi, etnikisht do ta kisha pastruar Kosovën në vitin 1998!’, deklaroi publikisht në intervistë ministresha e Aleksandar Vuçiqit dhe kaloi pa u shkarkuar, pa dënim publik, pa kërkim falje, pa asnjë shprehje të pendesës apo keqardhjes nga ana e shefit të saj.
Kur një zyrtar qeveritar, në shekullin XXI, publikisht shpreh glorifikim për bëmat e kasapit të Ballkanit dhe për më keq, publikisht shpreh keqardhjen e saj që e paska lënë punën të pakryer, pra, nuk e paska pastruar Kosovën nga shqiptarët, dhe për një deklaratë të tillë skandaloze, shoviniste, raciste kalon pa ndëshkim, atëherë nuk na ngelet tjetër përpos të parashtrojmë pyetjen: çfarë në të vërtetë paska ndryshuar në mendësinë nacional-shoviniste serbe që vazhdon të thurrë ëndrrën për Serbinë e madhe?!
Këto janë fytyrat e vërteta të Open Balkan-it, iniciativës të cilën tentuan të na e shesin si perspektivën më të mirë për aspiratat euro-integruese të vendeve të rajonit, por e cila qartazi paska qenë vetëm kornizë për rehabilitimin historik, politik e ideologjik të Serbisë për krimet makabre të kryera gjatë luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi.
Por, sot Kosova është shtet i pavarur, demokratik dhe i pranuar ndërkombëtarisht. Subjektivitetin e Kosovës e demonstrojnë institucionet e saj të ndërtuara dhe të zgjedhura në procedura demokratike, ndërsa e garanton Ushtria e Kosovës. Kjo është Kosova që na bën të gjithëve krenarë dhe për të cilën breza të tërë sakrifikuan e derdhën gjak.
Kumbarat e Open Balkanit dhe avokatët e Aleksandar Vuçiqit le të vazhdojnë të heshtin. Në heshtje e aprovojnë deklaratën skandaloze të ministreshës serbe”, ka deklaruar Mexhiti.

