Mediave serbe u pengon fotografia e futbollistëve shqiptarë të Spartës

Mediave serbe u pengon fotografia e futbollistëve shqiptarë të Spartës

Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi, Qazim Laçi dhe Endrit Tuci e festuan me një fotografi me flamurin shqiptar kalimin në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Katër futbollistët shqiptarë të Sparta Pragës të martën pas fitores 2:0 ndaj Malmos, në ndeshjen kthyese të plejofit të Championsit, u fotografuan me flamurin kuqezi.

Fotografia u publikua nga klubi kampion çek pas ndeshjes në Pragë. Në përshkrimin e fotografisë janë paraqitur flamuri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës.

Dhe kjo fotografi po u pengona mediave serbe. Disa prej tyre e kanë vlerësuar skandaloze.
“Skandal i rëndë në Ligën e Kampionëve! Shqiptarët përsëri tentuan ta poshtërojnë Serbinë me të ashtuquajturit flamuj. Kosova dhe klubi i ka përkrahur”, shkruan në titullin e shkrimit të gazetës “informer”.

Edhe “alo.rs” e ka vlerësuar skandal publikimin e fotografisë të katër shqiptarëve me flamur.

Albion Rrahmani debutoi me gol te Sparta ndaj Malmos, ndërsa luajtën edhe Qazim Laçi dhe Ermal Krasniqi. Indrit Tuci mbeti në stol.

Tifozët e Spartës janë prej më të njohurve në Çeki. Ata kanë qëndrim proserb, kurse në shumë raste kanë shpalosur pano me përmbajtje anti-Kosovë.

Te Sparta luan një reprezentues i Serbisë. Një medium nga Bosnja ka shkruar se ai është ndier keq për shkak të fotografisë së publikuar. /Kohanet/

MARKETING