Vritet në Itali gazetari sportiv Luca Esposito, trupi i tij gjendet i djegur
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin mediatik dhe sportiv në Itali. Gazetari sportiv Luigi Esposito, i njohur me emrin Luca, është gjetur i pajetë në zonën e Salernos, pasi dyshohet se është vrarë dhe më pas i është vënë flaka.
Trupi i tij u zbulua nga zjarrfikësit në Eboli, teksa po ndërhynin për të shuar një zjarr të shkaktuar nga djegia e trupit në zonën me bimësi. Për shkak të dëmtimeve të shumta nga flakët, fillimisht ishte e pamundur të përcaktohej identiteti apo edhe gjinia e viktimës.
Sipas hetimeve paraprake, Esposito dyshohet se është qëlluar me armë zjarri, ndërsa karabinierët kanë gjetur disa gëzhoja në vendngjarje. Më pas trupi i tij është djegur.
Hetimi mori një kthesë të rëndësishme pas gjetjes së makinës së gazetarit, çka u mundësoi autoriteteve të rindërtonin lëvizjet e tij para vrasjes. Çështja po hetohet nga Prokuroria e Salernos, e drejtuar nga Raffaele Cantone.
Luca Esposito ishte një emër i njohur në gazetarinë sportive italiane. Ai kishte një diplomë në biologji dhe një tjetër në letërsi, ndërsa bashkëpunonte me gazetën “La Città di Salerno”, televizionin “Otto Channel” dhe drejtonte faqen e lajmeve sportive “Tuttosalernitana.com”.
Vdekja e tij ka shkaktuar tronditje te kolegët dhe bashkëpunëtorët, të cilët e përshkruajnë si një personazh të drejtpërdrejtë dhe të guximshëm në mbrojtjen e ideve të tij.
Drejtori i “Otto Channel”, Pierluigi Melillo, tha se lajmi i vdekjes së gazetarit ka lënë të gjithë stafin të tronditur, duke e cilësuar Espositon si një komentator “të papërshtatshëm, por kurrë banal”, i cili gjithmonë shprehte me forcë mendimet e tij për botën e futbollit.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të motivit të vrasjes dhe identifikimin e autorëve.



