Me rastin e Mevludit (datëlindjes) së Pejgamberit a.s.

Me rastin e Mevludit (datëlindjes) së Pejgamberit a.s.

NË GJURMËT E PERSONALITETIT TË PEJGAMBERIT A.S.

METIN IZETI

Pejgamberët janë robër të dalluar të cilët janë caktuar nga Allahu i Madhëruar për t’i udhëzuar njerëzit në rrugën e drejtë që nga fillimi i njerëzimit. Ata u pajisën me vlerat më të mira morale dhe u paraqitën si shembuj për njerëzimin dhe prej komuniteteve të ndryshme është  kërkuar t’u binden atyre. Ky zinxhir i pejgamberisë, i cili filloi me njeriun e parë, Ademin (a.s.), vazhdoi me një numër të madh të pejgamberëve dhe përfundoi me Muhammedin (a.s.). Asnjë i dërguar tjetër hyjnor nuk do të dërgohet pas tij. Prandaj, ai është e vetmja shpresë dhe mundësi e fundit për udhëheqjen dhe shpëtimin e njerëzimit. Vazhdimi i udhëzimit të të Dërguarit të Allahut (a.s), udhërrëfyesi i fundit në rrugën e vërtetë, i cili u dërgua si mëshirë për botët, do të bëhet i mundur duke e njohur atë në mënyrën më të saktë, duke e përditësuar atë në jetën e njerëzve dhe pastaj duke e marrë si shembull per gjithe jetën dhe në të gjitha kohrat.

Gjatë gjithë historisë, në lidhje me prezantimin e personalitetit të Muhammedit (a.s.) janë zhvilluar koncepte dhe prezantime të ndryshme në hapësira, kultura dhe periudha të ndryshme dhe është shfaqur një literaturë e madhe për këtë temë. Në të vërtetë, në botë nuk ka asnjë person tjetër për të cilin janë shkruar aq vepra sa për Pejgamberin (a.s.). Studime të tilla vazhdojnë të shtohen edhe sot. Sepse jeta e Pejgamberit (a.s.) ka nevojë për ta kuptuar dhe përditësimi, i cili do të ndihmojë në ndjekjen reale dhe esenciale të personalitetit të tij, nuk do të përfundojë kurrë.

Është e qartë se ndërsa koha dhe kushtet ndryshojnë, edhe kuptimet dhe botëkuptimet e njerëzve ndryshojnë. Është detyrë parësore e intelektualëve myslimanë që t’i perceptojnë drejt këto ndryshime dhe ta prezantojnë të Dërguarin e Allahut (a.s.) te njerëzit e shekullit tonë në një kuptim që mund të paraqitet si shembull. Hapi kryesor për të kuptuar saktë Pejgamberit (a.s) është zbulimi i jetës dhe veprimtarisë së tij duke përdorur informacion autentik. Burimi i parë i referencës në këtë drejtim është padyshim Kurani Famëlartë. Sepse në Kuran, flitet për relacionet ndërnjerëzore të Pejgamberit a.s me idhujtarët, të krishterët, hebrenjtë dhe shumë çështje të tjera. Kur’ani përmban informacione për çështje të tilla si marrëdhëniet, paralajmërimet hyjnore të cilat iu drejtuan të Dërguarit të Allahut (a.s.).

Burimi i dytë bazë që përmban informacione për të gjitha aspektet e jetës dhe personalitetit të Pejgamberit të Islamit (a.s.) dhe strukturën socio-kulturore të mjedisit në të cilin ai ka jetuar janë hadithet e transmetuara prej tij, me fjalë të tjera, Suneti, që përfshin fjalët, veprat thëniet dhe pëlqimet e tij.  Për të përfituar nga ky burim në mënyrën më të mirë, është e nevojshme të rivlerësohet përmbajtja e haditheve në dritën e ajeteve të Kuranit të Shenjtë, si dhe aktualizimi i tyre me kohën në të cilën jemi duke jetuar. Sepse në periudhat e ndryshme, shumë ngjarje të paargumentuara, u përdorën si dëshmi për arsye politike apo fetare, madje grupe të ndryshme teologjike-politike trilluan shumë hadithe për të mbështetur pikëpamjet e tyre.

Burimi i tretë i informacionit që duhet përdorur pas Kuranit dhe Hadithit për të prezantuar Muhamedin (a.s) te njerëzit janë transmetimet në librat e Sira dhe Megazi (burimet e shkruara të Historisë Islame), të cilat janë në përputhje me parimet e përmendura në dy burimet e para.

Burimi i katërt i prezantimit të të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.) është koncepti emocional dhe letrar. Shkrimtarët dhe veçanërisht poetët – me përpjekje të sinqerta – paraqesin Pejgamberin a.s si njeri ideal, duke u bazuar në burimet e mësipërme, që imagjinonin në imagjinatën e tyre, dhe me këtë Pejgamberi a.s. përfiton dimensionin metahistorik dhe universal, duke mos mbetur i ngushtuar në kontekstin historik.

Në vargjet e poetëve myslimanë, Muhamedi (a.s.) paraqitet si subjekt i njeriut të përkryer i cili duhet të ndiqet dhe të dashurohet. Për shembull, Mevludi është një vepër letrare, madje një kryevepër, sepse i ka mbijetuar epokave dhe ka ruajtur ndikimin dhe vitalitetin e tij. Autori i mevludit Sulejman Çelebiu, që më vonë është përkthyer disa herë edhe në gjuhën shqipe është dijetar dhe vargjet e tij përmbajnë shumë informacione historike të brumosura me kontekstin estetik- poetik për Pejgamberin (a.s).

Si rrjedhojë, manifestimet e prezantimit të Pejgamberit (a.s.) krahas elementit informativ dhe dijedhënës e përfitojnë edhe shfaqjen  emocionale intensive të afërsisë dhe lidhjes së ngushtë me personalitetin e Pejgamberit a.s.. Nisur nga kjo mund të themi lirisht se myslimanët duhet ta kuptojnë Pejgamberin (a.s) në gjendjen e tij reale dhe të emocionohen me sjelljet e tij duke krijuar shtigjet për përditësimin e personalitetit të tij në komunitetin dhe kohën që jetojnë. Vetëm nëse e njohim të Dërguarin e Allahut (a.s) në këtë mënyrë, do të kenë mundësi që ta krahasojmë jetën tonë me jetën e tij, të rregullojmë veten dhe të organizojmë të ardhmen në përputhje me rrethanat. Për ta siguruar këtë, kur bëhet fjalë për prezantimin e Pejgamberit (a.s.), është e nevojshme t’i drejtohemi informacionit udhëzues që i drejton njerëzit drejt arsyetimit, soditjes, përjetimit dhe reflektimit, në vend që të përqëndrohemi vetëm në detajet dhe hollësitë  shterpe historike që nuk mund të jenë pjesë e kohëve të caktuara.

Para së gjithash, këtu duhet theksuar se Pejgamberi (a.s) nuk ka nevojë për ndonjë lavdërim nga robërit e tij, por, pasi Zoti i Madhëruar e lavdëroi dhe e lartësoi atë dhe kërkoi prej nesh që ta lavdërojmë, ne e kemi për obligim që të qasemi personalitetit të tij me këtë përmasë. Ai e zgjodhi atë për të përcjellë mesazhin e tij hyjnor te robërit e tij, e nderoi me shpallje, e edukoi, e udhëzoi, e mbështeti dhe e bëri person me vlera të larta morale. Për këtë arsye, ne si qenie njerëzore dhe ndjekës të sunetit të tij, duhet  të tregojmë për epërsinë dhe madhështinë e tij. Si rrjedhojë, njerëzit do ta shohin atë në të gjitha aspektet e tij dhe shumica e tyre do të emocionohen me personalitetitn e tij.

Përderisa ne e pranojmë rëndësinë e prezantimit të Pejgamberit (a.s) tek njerëzit (madje edhe domosdoshmërinë e tij në një masë për fëmijët dhe të rinjtë), domosdoshmëria e prezantimit të Pejgamberit (a.s) në baza artistike dhe estetike nuk duhet harruar kurrë. Myslimanët e sotëm, një nga hapat që duhet ndjekur në përditësimin e Pejgamberit (a.s.) është prezantimi i tij artstik dhe estetik duke theksuar aspektin e tij universal. Pejgamberët janë personalitete të jashtëzakonshme të zgjedhura nga Allahu për të përcjellë mesazhin hyjnor te njerëzit. Atyre u janë dhënë cilësi mbinjerëzore si mrekullitë që nuk i kanë njerëzit e tjerë dhe atributi i ismetit (mbrojtja nga mëkati), të cilat janë gjithashtu ndër kushtet e pejgamberisë dhe në një mënyrë ata mund të jenë modele shembullore për sjelljen në kushte të ndryshme jetësore. Si njerëz, ne mund të identifikohemi vetëm me një person të tillë, të marrim si shembull një person me këto cilësi dhe të synojmë të jetojmë si ai. Rrethanat e jashtëzakonshme të dhëna tregojnë se sa të vlefshëm janë pejgamberët e zgjedhur në sytë e Allahut dhe sa të vlefshme janë kërkesat e tyre. Prandaj themi që duhet të merren parasysh fjalët dhe praktikat e tyre, qëndrimet, sjellja dhe morali i tyre si qenie njerëzore që zbatojnë urdhrat e Zotit.

Theksimi se Muhamedi (a.s) kishte shumë karakteristika shembullore si qenie njerëzore dhe ilustrimi i sjelljes së tij humane si qenie njerëzore do t’i bindë dhe inkurajojë muslimanët/ njerëzit që ta njohin atë dhe të përvetësojnë sjelljen e tij. Shprehjet, ekzaltimet dhe përjetimet do ta bëjnë të afërt marrjen e Muhamedit (a.s.) si model duke e vendosur atë mbi qeniet njerëzore. Sepse nuk ka dallim mes ekzistencës dhe mosekzistencës së një pejgamberi që nuk mund të merret si shembull nga njerëzit.

Megjithatë, Pejgamberi (a.s) u dërgua si burim mëshirë, udhërrëfyes për udhëzim dhe figurë morale shembullore jo vetëm për besimtarët, por edhe për të gjithë njerëzit deri në fund të botës (Ahzab, 33/21). Kuptimi dhe zbatimi i shpalljes mund të arrihet vetëm duke marrë shembullin e tij si bazë. Për të gjitha këto, për të kuptuar Pejgamberin (a.s) dhe për ta pranuar atë si udhërrëfyes, është e nevojshme të merren parasysh aspektet e tij të përbashkëta me njerëzit, përditësimi i tij, duke i mundësuar të jetojë mes nesh shpirtërisht dhe metafizikisht.

Prandaj, ai është një fëmijë, një burrë, një baba, një fqinj, një komandant, një udhëheqës, me pak fjalë, ai është një qenie njerëzore me karakteristika me të cilat një njeri mund të bëjë paralele në shumë çështje. Gjithashtu ai është njeri i përosur, insan-i kamil, njeri universal i cili me përmasën e tij shpirtërore mund të jetë frymëzim dhe emocion për të gjitha gjeneratat dhe të gjitha këta aspekte në vete mund t’i përmbledhë një kontekst shkencor historik i dizajnuar me përmasën etike dhe estetike.

Muhamedi (a.s) është një person që mori shpallje, strategjia dhe përmbajtja e transformimit të tij u përcaktua nga shpallja hyjnore, dhe shpallja është baza e suksesit të tij dhe ai është pejgamberi i fundit. Kurani, i cili është shenja më e qartë e kësaj, është mrekullia e tij më e madhe dhe ne kur të flasim për jetën e përgjithshme të Muhamedit (a.s.) ose kur shkruajmë apo tregon një ngjarje nga një pjesë e jetës së tij, duhet theksuar shpallja dhe roli i saj në cilësitë dhe sjelljen e tij.

Ajo që ne po përpiqemi të shpjegojmë këtu është rëndësia e  Muhamedit a.s. për muslimanët e sotëm dhe për mbarë njerëzimin. Në paraqitjen e Muhamedit (a.s.) duhet të bëhet fjalë për aspektin që është i rëndësishëm dhe prioritar në aspektin universal njerëzor si dhe  dimensioni praktik dhe aktual i tij.

Muhamedi (a.s) u dërgua si pejgamber i fundit dhe mëshirë për botët. Mesazhi i tij nuk iu drejtua një rajoni apo kombi të caktuar, por të gjithë njerëzve. Ai i përket gjithë njerëzimit. Në fakt, në shumë pjesë të Kuranit,  gjithë njerëzimit, Allahu xh.sh., i drejtohet me shprehjen “O njerëz” dhe atyre u kërkohet t’i binden  Muhamedit (a.s.), i cili u dërgua si lajmëtar dhe përgëzues, paralajmërues. Për shkak të universalitetit të mesazhit të tij, Pejgamberi (a.s) e ftoi njerëzimin në Islam duke dërguar të dërguar jo vetëm te fiset në Gadishullin Arabik ku ai jetonte, por edhe te sundimtarët e shteteve të mëdha të kohës së tij, duke treguar kështu universalitetin e mesazhit të tij në mënyrën më të gjerë. I Dërguari i Allahut (a.s. ) në hutben e tij lamtumirëse, që e mbajti në haxhin e fundit, ai nuk iu drejtua vetëm muslimanëve, por përdori shumë fjalën e përgjithshme dhe universale “O njerëz”. Meqenëse Muhamedi (a.s) është pejgamberi i fundit, pejgamberia e tij është universale dhe e përhershme deri në fund të kohës, ajo gjithnjë duhet të përditësohet dhe aktualizohet. Me fjalë të tjera, Pejgamberi a.s. duhet të jetojë në të gjitha kohrat dhe hapësirat deri në ditën e kiametit.

Këto janë vlerat universale të paraqitura  nga Islami. Këto vlera u dhanë frymë myslimanëve në fazat e formimit dhe zhvillimit të qytetërimit islam dhe kjo frymë u pasqyrua në vepra dhe institucione me kalimin e kohës. Prandaj, Muhamed (a.s)që është në qendër të këtyre vlerave padyshim që do të vazhdojë të jetë udhërrëfyesi më i madh si për muslimanët ashtu edhe për mbarë njerëzimin.

Një nga hapat që duhet ndërmarrë për ta prezantuar Pejgamberin (a.s) me njerëzit e sotëm dhe për ta kuptuar atë drejt, është botimi i veprave  si shkencore ashtu edhe letrare, artistike dhe estetike të kualifikuara në një mënyrë që të gjithë mund ta kuptojnë. Me keqardhje duhet të konstatojmë se shpeshherë jemi dëshmitarë që disa individë të paaftë, të cilët nuk janë të vetëdijshëm për thelbin e çështjes, shkruajnë për këtë temë ku nuk janë ekspertë dhe prodhojnë vepra të pakualifikuara që përsërisin njëra-tjetrën. Prandaj, është e nevojshme që mesazhet e tij të kuptohen në një mënyrë që të përfshijë gjithë njerëzimin, dhe më pas t’i prezantohet njerëzve brenda kornizës së mesazheve universale. Sepse nuk duhet harruar se i Dërguari i Allahut (a.s.) është një person që solli në jetë sistemin e vlerave mbi të cilat u ndërtua qytetërimi islam dhe u dha atyre dinamizëm. Prezantimi i tij me këto tipare do të jetë një mundësi e shkëlqyer për muslimanët dhe mbarë njerëzimin që po përjeton një krizë identiteti në kohën tonë. Sepse elementi kryesor që i jep kuptim jetës në nivel individual dhe shoqëror, krijon identitet dhe personalitet, jep besim e dinamizëm dhe me pak fjalë, tërheq kuadrin e qytetërimit, është sistemi i vlerave. Pejgamberi (a.s.) i ka dhënë jetës disa vlera si besimi, familja, dashuria, respekti, e vërteta, drejtësia, barazia, solidariteti, puna, bujaria, miqësia, mëshira, mirësia, besimi, mirëkuptimi dhe paqja, mbi të cilat është ndërtuar qytetërimi islam dhe vetëm me këto tipare mund të ecet në gjurmët e personalitetit të Muhammedit a.s..

MARKETING